Qytetarët kosovarë së fundmi kanë hasur në një sërë problemesh me planet e tyre të udhëtimit si pasojë e refuzimit të Agjencisë së Regjistrimit Civil për të lëshuar pasaporta përveç rasteve emergjente.
Sipas institucioneve, kjo për shkak se nuk ka mjaftueshëm material për prodhimin e pasaportave.
Ministria e Punëve të Brendshme deklaroi më 10 janar se parashikon që furnizimi me material për prodhimin e pasaportave të rikthehet deri në fund të këtij muaji.
Ministria e Punëve të Brendshme në deklaratën e saj ka thënë se “shpreh keqardhje për situatën e krijuar dhe kërkon durim nga të gjithë banorët e Republikës së Kosovës, në pritje të zgjidhjes së kësaj çështjeje”.
Megjithatë, Veridoss, kompania e kontraktuar nga Qeveria e Kosovës, në një përgjigje për Gazetën Insajderi ka thënë se “si shumica e bizneseve në mbarë botën, industria jonë vuan nga problemet e zinxhirit të furnizimit”.
“Në raste individuale, kjo mund të ndikojë në oraret dhe të ndryshojë datat e dorëzimit. Shpresojmë që situata aktuale të ndryshojë së shpejti”,
“Sa i përket projekteve tona në Kosovë, ju lutemi kuptoni se kontratat tona me autoritetet publike janë subjekt i klauzolave strikte kontraktuale. Ne, si Veridos GmbH, nuk mund të komentojmë më shumë në lidhje me këtë çështje”, kanë thënë nga kompania Veridoss për Gazetën Insajderi.