Live

Erdogan i kërkon Putinit të shpallë armëpushim “të njëanshëm” në Ukrainë

13:08 / 05 Janar 2023

Nga Kosova Live

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, i kërkoi homologut rus, Vladimir Putin, që të shpallë armëpushim “të njëanshëm” në Ukrainë.

“Presidenti Erdogan tha se thirrjet për paqe dhe negociata duhet të mbështeten nga një armëpushim i njëanshëm dhe një vizion për zgjidhje të drejt”, tha zyra e Erdoganit, teksa njoftuan më 5 dhjetor se dy liderët kanë zhvilluar një bisedë telefonike.

Erdogan po ashtu pritet të zhvillojë një bisedë telefonike gjatë të enjtes edhe me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

Lideri turk ka përdorur raportet e mira që ka edhe me Moskën dhe me Kievin, për të tentuar që të ndërmjetësojë përfundimin e luftës, që Rusia nisi më 24 shkurt 2022.

Turqia ka qenë nikoqir i dy rundeve të bisedimeve të paqes dhe po ashtu ka ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje, të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, për rinisjen e eksporteve të drithërave ukrainase nga Deti i Zi.

Erdogani po ashtu vazhdimisht ka tentuar që të sjellë në Turqi Putinin dhe Zelenskyn në një samit të paqes.

Thirrjet e Erdoganit për armëpushim vijnë pasi më herët gjatë së enjtes, lideri shpirtëror i Rusisë, Patriarku Kirill bëri thirrje për një marrëveshje armëpushimi gjatë Krishtlindjes Ortodokse, që festohet këtë javë.

Erdogani ka arritur të mbajë raporte të mira me Putinin, pasi ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë dhe ka arritur marrëveshje dypalëshe tregtare gjatë kohës kur po zhvillohet lufta në Ukrainë.

Të dy liderët tani po tentojnë të çojnë përpara planet për të ndërtuar një qendër të gazit natyror në Turqi, që do t’i mundësonte Rusisë një rrugë alternative për të furnizuar Evropën me karburante.

Zyra e Erdoganit tha se Turqia “ka forcuar dhe do të vazhdojë ta forcojë infrastrukturën” për qendrën e propozuar të gazit.

Si Erdogan, ashtu edhe Putin, shpresojnë “që ky projekt të zbatohet sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha zyra e presidentit të Turqisë.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...