Mijëra protestues kanë dalë në rrugët e Hong Kongut të martën, ditën e shënimit të 70-vjetorit të ardhjes në pushtet të Partisë Komuniste të Kinës. Protestat nisën në mënyrë paqësore, por më pas shpërthyen në dhunën më të rëndë që nga nisja e tyre para katër muajve.
Policia ka përdorur plumba të vërtetë dhe e ka qëlluar një protestues në distriktin Tsuen Ëan. Lajmin për incidentin e ka konfirmuar një burim policor.
Ndonëse të shtëna me armë ka pasur edhe në protestat e kaluara si shenjë paralajmëruese për protestuesit dhe policia i ka lënduar rëndë disa protestues me plumba gome, kjo është hera e parë që një protestues qëllohet me plumb lufte.
Në pamjet e publikuara në medie shihet një burrë i shtrirë në tokë duke kërkuar ndihmë. “Më dërgoni në spital, po më dhemb gjoksi. Kam nevojë të shkoj në spital”, dëgjohej duke thënë personi i plagosur.
Autoritetet shëndetësore të Hong Kongut njoftuan se 15 persona janë lënduar, përfshirë personin e plagosur nga plumbi, i cili raportohet se ndodhet në gjendje kritike.
Dhjetëra mijëra njerëz nuk iu bindën urdhrit të policisë për të mos mbajtur protestë në pjesën qendrore të Hong Kongut. Organizatorët e tubimit thanë se përvjetori i pushtetit komunist duhet të shënohet me ditë zie, e jo festë, shkruan “The Guardian”.