Eurodeputeti holandez i cili vjen nga radhët e Partisë së Punës, Thijs Reuten ka zbuluar disa detaje pas procesit të liberalizimit të vizave mes Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës.
Ai tha se një numër vendesh, përfshirë Holandën dhe Francën, ishin kundër për një kohë të gjatë.
“Sapo këto shtete anëtare hoqën dorë nga bllokada e tyre e pakuptimtë, ne filluam negociatat”, u shpreh ai.
Ai theksoi se kosovarët ishin të vetmit banorë të Ballkanit Perëndimor, të cilëve u ishte dashur ende të aplikonin për vizë për të hyrë në BE, ndërsa shtoi se kjo ishte e padrejtë dhe e pajustifikuar.
“Ka ardhur koha: nga viti i ardhshëm, banorët e Kosovës do të mund të udhëtojnë pa viza në BE. BE arriti sot një marrëveshje të shumëpritur për këtë”.
“Për shembull, sundimi i ligjit duhet të jetë në rregull dhe kontrollet e tij kufitare duhet të përmbushin standardet evropiane. Kosova tashmë ka treguar mjaft se i plotëson këto kushte”, shtoi Thijs Reuten.
Reuten u shpreh se “kjo nënkupton jo vetëm fundin e shumë telasheve burokratike, por edhe fillimin e një kapitulli të ri në të ardhmen evropiane të Kosovës”, teksa i cilësoi hapat e mëtutjeshëm drejt Bashkimit Evropian, si “të një rëndësie të madhe për Kosovën dhe për BE-në”.
Ndërkohë, përfaqësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Evropian kanë arritur të mërkurën marrëveshjen për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Të mërkurën ekipet negociuese të Parlamentit dhe Këshillit arritën marrëveshjen e shumëpritur për liberalizimin e vizave për Kosovën”, thuhet në njoftimin për media të Parmantit Evropian.
Më 30 nëntor, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së ishin pajtuar për t’i dhënë mandatin Këshillit Evropian që të negociojë procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën me Parlamentin Evropian.
“Heqja e vizave do të hyjë në fuqi kur sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, të jetë funksional, në çfarëdo rasti jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024”, thuhet në këtë njoftim.