Plot 87 milionë euro të buxhetit të shtetit sivjet do të shkojnë subvencione për bujqësi.
Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka treguar se për grurë do të jepen 474 euro për hektar, për misër 329 euro, 654 euro për patate dhe 654 euro për fasule.
Kurse për kulturat pemëtare do të jepen nga 504 euro për hektar e për perimet me sipërfaqe të hapur 554 euro dhe për ato me sipërfaqe të mbyllur 904 euro për hektar, njofton Klan Kosova.
Kështu bujku, Tefik Jashari, nga Ballofci i Podujevës, do të mund të fitojë për 20 hektarë me grurë e po aq edhe me misër që i mbjellë. Jashari, që i mirëpret mjetet e ndara po ashtu mbjell edhe 3 hektarë tërshërë e mban edhe 20 krerë gjedhe.
“Inflacioni është rritë, janë rritë edhe produktet që i prodhojnë bujqit, derisa më herët një kilogram grurë ka qenë 20 centë, tash është 30-40 centë, domethënë përafërsisht janë të mjaftueshme”, deklaroi ai.
Kurse nga Federata Sindikale e Bujqve, e vlerësojnë që programi u prezantua në fillim të vitit.
Veçse kanë kërkuar nga ministri, Faton Peci, që subvencionet të ndahen në dy etapa, të pranverës dhe vjeshtës.
“Po jepen atëherë kur veç po korret kultura për të cilën subvencionohen, sidomos te gruri e kemi fjalën, dhe sivjet e kemi frikën se ka me u vonu dhënia e subvencioneve”, tha kryetari i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës, Tahir Tahiri.
Vitin e kaluar thirrja ishte hapur në prill e subvencionet ishin dhënë në fund të gusht, e sipas Tahirit do të duhej që thirrjet të nisnin në janar dhe të hollat të jepeshin më herët.