Në kuadër të zbatimit të projekteve me rëndësi të madhe infrastrukturore në Komunën e Malishevës, përkatësisht rregullimit të infrastrukturës në qytet, sot kanë filluar punimet për ndërtimin e urës kryesore, përkatësisht zgjerimin e plotë të urës, që lidhë të dy pjesët e qytetit të Malishevës.
Fillimin e punimeve të urës, e kanë parë nga afër, kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, nënkryetari Vesel Krasniqi, drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, Avdi Morina, të shoqëruar edhe nga drejtorët tjerë të drejtorive komunale.
Kryetari Kastrati, është shprehur i kënaqur që punimet në projektet infrastrukturore në qytetin e Malishevës, janë duke u realizuar sipas planifikimeve, e në veçanti zgjerimi dhe rregullimi i rrugëve dhe shëtitoreve, ku përfshihet edhe ura, rindërtimi i së cilës, ka qenë i domosdoshëm”.
Drejtori i Drejtorisë së Urbanizmit, në Komunën e Malishevës, Avdi Morina, ka bërë të ditur se “ura kryesore që lidhë të dy pjesët e qytetit, do të zgjerohet dhe është pjesë e realizimit të projekteve infrastrukturore, të zgjerimit të rrugë dhe shëtitores, përreth lumit Mirusha që kalon përmes, ndërsa punimet në të gjitha këto projekte, janë duke u zhvilluar sipas dinamikës së paraparë dhe financohen nga buxheti i Komunës së Malishevës”.
Ndërtimi i urës së re në qytetin e Malishevës, përveç që është pjesë e projektit të lartë cekur, është duke u bërë edhe për shkak të vjetërsisë dhe paqëndrueshmërisë së saj, të konstatuar nga ekspertët e fushës, pas matjeve të bëra.