Live

Fillon seanca ndaj Pjetër Shalës në Hagë, mbrojtja do të paraqesë deklaratën hyrëse

10:34 / 22 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), me seli në Hagë, edhe të mërkurën po vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës, i cili po akuzohet për krime lufte.

Gjatë kësaj seance, mbrojtja do të paraqesë deklaratën e saj hyrëse, si dhe Shala do të bëjë një deklaratë pa betim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, ku i njëjti u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Ndryshe, Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua