Finlanda po vëzhgon nga afër ujërat e saj territoriale pas shpërthimeve të dy tubacioneve nënujore të gazit rus, tha të mërkurën kryeministrja, Sanna Marin.
Marin u tha gazetarëve se Finlanda, e cila ndan kufirin më të gjatë tokësor të Bashkimit Evropian me Rusinë, i konsideron shpërthimet “lajm të rëndë” dhe “jashtëzakonisht shqetësues”.
Tubacionet u ndërtuan nga Rusia dhe partnerët evropianë.
Bashkimi Evropian tha më 28 shtator se beson se rrjedhjet në dy tubacionet nënujore të gazit rus që ndodhën gjatë kësaj jave, “nuk janë rastësi”, por ka tregues se janë “akte të qëllimshme.
“Autoritetet finlandeze dhe qeveria po e vëzhgojnë nga afër situatën. Ne po e monitorojmë situatën në zonën ekonomike finlandeze dhe në ujërat tona territoriale”, tha Marin.
Gazsjellësi Rrjedha Veriore 2 është i kompletuar, por Gjermania hoqi dorë nga plani për ta funksionalizuar këtë tubacion, pak ditë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.