Live

Fjalimi i Rexhep Selimit në Speciale: U bëra pjesë e një aktakuze nga Serbia, aty ishte edhe Adem Jashari

16:09 / 04 Prill 2023

Nga Kosova Live

Ish shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, njëherit ish-anëtar i UÇK-së, Rexhep Selimi e ka nisur me rrëfim fjalimin e tij para Gjykatës Speciale.

Fillimisht, ai është deklaruar i pafajshëm në lidhje me krimet e pretenduara në aktakuzë.

“Ka pothuajse dy vjet e gjysmë që kur u njoftova se ndaj meje është ngritur aktakuzë ndaj Gjykatës Speciale. Nuk e prisja. Sido që rrodhën ngjarjet jemi këtu përballë një aktakuze që me të drejtë e konsiderojmë të pabazuar në fakte e argumente. Përballë kësaj aktakuze deklarohem se nuk kam të bëjë asgjë me krimet e pretenduara në aktakuzë.” – tha ai.

Tutje, Selimi ka vazhduar me rrëfimin e tij, duke thënë se në vitet e 90-ta nuk mund të hyjë as në fakultete e biblioteka.

“Në fillim të viteve të 90-ta isha student në Filologji. Si kudo në Kosovë edhe në Universitetin e Prishtinës u përshkallëzua dhuna. Më kujtuan kur na dëbuan nga konviktet. Më 16 mars 1990 rreth Qendrës së Studentëve shihje blinda duke nxjerrë studentë jashtë. Nuk mund të hyje në fakultete as bibliotekë. Shqiptarët u larguan nga puna, nuk kishte më polic shqiptar, as mjek shqiptar, as nëpunës në administratë. Të rinjtë shqiptarë nuk mund të luanin as futboll, u mbyll televizioni në gjuhën shqipe, dhe u mbyllën gazetat.” – deklaroi ai.

Tutje, Selimi në fjalimin e tij shtoi: “Dhuna përshkallëzohej. Të rinjtë dërgoheshin me dhunë në Ushtrinë Jugosllave. Jo për të shërbyer, por për të na vrarë. Si sot më kujtohet kur bashkëmoshatarin tim Jetullah Desku e dërguan në ushtri, e më pas e kthyen në arkivol duke thënë se e ka vrarë vetën”.

Selimi ka përmendur edhe helmimet në shkolla, duke thënë se i ka parë moshatarët e tij “duke nxjerrë shkumë nga goja”.

“Atë vit filluan t’i helmonin nxënësit e shkollës time, edhe sot i gjeni ato imazhe kundër nxënësve shqiptarë në shkolla tona. I shihja moshatarët e mi duke nxjerrë shkumë nga goja. Ky gjah ndaj të rinjve shqiptarë vazhdonte pa ndalur si një presion sistematik për t’i bërë ata ta lëshojnë Kosovën. Në fillim të viteve 90-ta shumë bashkëmoshatarë u detyruan ta braktisin Kosovën që aq shumë e donin.” – tha ai.

Sipas Selimit, ai ka pasur dy opsione, të qëndronte në Kosovë, të helmohej, të arrestohej apo të vritej, ose të shkonte jashtë vendit.

“Në atë kohë unë kisha dy opsione. Të qëndroja në Kosovë e të prisja që një ditë mund të helmohesha, të arrestohesha, vritesha, apo për t’iu shmangur kësaj ta lëshoja Kosovën. Të shkoja në Gjermani apo në Holandë këtu, ku kisha gjysmën e familjes time të kërkoja azil. Në mes këtyre dy opsioneve, zgjodha një rrugë të tretë. Në vend që t’i bashkohesha familjarëve të mi iu bashkova një familje akoma më të madhe. Iu bashkova familjes Jashari në Prekaz. Lashë ëndrrat e mia të rinisë, lashë studimet e letërsisë, dhe u bëra pjesë e UÇK-së. UÇK-ja në atë kohë e kishte emrin ushtri, por nuk numëronte ushtri. Emrin dhe vullnetin e kishim të madh, por armë e njerëz shumë pak.” – tha ai.

Tutje, Selimi ka thënë se u bë pjesë e një aktakuze nga Serbia, dhe se aty ishte edhe Adem Jashari.

“Unë u bëra pjesë e një aktakuze nga Serbia dhe aty ishte edhe Adem Jashari. Unë nuk mund të qëndroja në shtëpinë time. U detyrova me dajën tim Mujë Krasniqin në tetor 1996 të largoheshim nga shtëpitë tona. Prej asaj kohe kryesisht qëndroja me familjen Jashari dhe jo vetëm. Aty qëndroja me Ademin, Shabanin, Hamzën, me fëmijët e asaj familje, Fitim, Besimin. Të gjithë këta fëmijë më pas u vranë. Më 5 mars 1998 filloi sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz. Në ditën e sulmit nuk ndodhesha aty, prandaj jam gjallë. Përndryshe do ta kisha fatin e atyre që ranë atë ditë në tri ditë që njihen si tri ditët e Epopesë së UÇK-së.” – tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua