Live

FMN kundërshton tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti

22:50 / 27 Janar 2023

Nga Kosova Live

Fondi Monetar Ndërkombëtar ka kundërshtuar tërheqjen e mjeteve financiare nga Trusti Pensional i Kosovës.

Një gjë e tillë u bë e ditur me anë të një komunikate për media pas një konsultimi të Artikullit IV nga drejtorët e FMN-së, të mbajtur në Washington të SHBA-së.

“Drejtorët rekomanduan që shpenzimet publike të balancohen më mirë ndërmjet transfertave sociale dhe promovimit të transformimit ekonomik dhe qëndrueshmërisë. Ata ranë dakord që zbatimi me faza i ligjit që rregullon pagat publike do të siguronte mbajtjen e kuadrove, brenda kufirit ligjor. Drejtorët theksuan se duhet të shmangen tërheqjet e hershme nga Trusti i Kursimeve Pensionale të Kosovës”, thuhet në komunikatën e FMN-së.

FMN po ashtu kërkoi nga qeveria të rrisin transparencën dhe të luftohet më tej korrupsioni, të cilat i shohin si dy problemet kryesore për mjedisin biznesor në vend.

FMN po ashtu ritheksoi se potenciali i GDP-së në Kosovë pritet të jetë 3.5 për qind.

“Pasiguria rreth perspektivës mbetet e lartë; Çmimet më të larta të energjisë përfaqësojnë rrezikun kryesor të rënies [së GDP-së]”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.

Shpërndaje në

U Kopjua