Live

Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka buxhet ta shlyej borxhin rreth 30 milionë euro

15:56 / 08 Janar 2023

Nga Kosova Live

Fondi për Sigurime Shëndetësore nuk ka mundësi buxhetore që t’i kryej borxhet e bartura ndër vite në shumë prej rreth 30 milionë euro, kryesisht ndaj spitaleve turke, ku qytetarët e Kosovës kanë marrë trajtim shëndetësor. E, FSSH beson se këto obligime financiare do të arrijë t’i kryejë vetëm me ndihmën e Qeverisë së Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri u shpreh se gjendja në këtë institucion që ai e drejton që nga gushti i vitit të kaluar, nuk është e mirë dhe barrë kryesore janë borxhet e trashëguara.

Sipas tij, këto obligime kanë rrjedh si rezultat i mosrespektimit të udhëzimi administrativ për trajtim jashtë vendit, por edhe mosrespektimi i mundësive buxhetore.

“Kemi trashëguar një borxh shumë të madh dhe mundësitë buxhetore të Fondit për mbulimin e këtij obligimi janë të vogla. Shembull vitin e kaluar buxheti i fundit në kuadër të programit për trajtim ka qenë 7 milionë, për vitin e ardhshëm 8 milionë…..Nëse e krahasojmë vlerën e buxhetit dhe obligimeve që e kemi trashëguar është thuajse e pamundur pa ndihmën e qeverisë që ky obligim apo borxh të shlyhet.. Mosrespektimi i kritereve të udhëzimit administrativ që rregullon këtë fushë dhe mos respektimi i mundësive buxhetore dhe aprovimi i kërkesave jashtë mundësive buxhetore dhe krijimi i borxheve të cilat tashmë janë raportuar në Ministrinë e Financave që nga marrja e detyrës e të cilat sillen rreth 30 milionë euro….këto borxhe janë krijuar ndër vite, mirëpo nga viti 2019, Fondi është ndarë si organizatë e veçantë buxhetore se përpara ka qenë në kuadër të MSh, nga viti 2019, e tutje është bartur ky borxh nga viti në vit dhe së fundi pas evidentimit të gjitha aplikacioneve dhe lëndëve të cilat janë në divizionin për trajtim jashtë vendit obligimet sillen rreth 30 milionë euro që priten pas procedimit të procedurave dhe evidentimit ato të shndërrohen me obligime” thotë Kaçuri.

Sipas Kaçurit, Kosova në borxhin më të madh e ka karshi spitaleve turke, ku qytetarët e Kosovës për shkak të qasjes më të lehtë zgjedhin të marrin shërbime shëndetësore, të cilat nuk mund t’i kryejnë në vend.

“Në masën më të madhe është spitalet turke në Republikën e Turqisë dhe arsyeja kryesore është mospasja nevojë për viza dhe qasja më e lehtë në spitalet turke, ka bërë që shumica e pacientëve tanë të kërkojnë shërbim në Turqi”, thotë u.d e drejtoritë të FSSH-së.

E problematik për programin për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, u.d i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Bujar Kaçuri e konsideron udhëzimin administrativ që rregullon këtë program.

Sipas tij, ky udhëzim ka mangësi në listën e diagnozave, për çka tha se në draftin e ri të këtij udhëzimi parashihet shtim i diagnozave të cilat nuk ofrohen në ShSKUK.

“Ka probleme të shumta në pamundësi të kontraktimit të shërbimeve për trajtim jashtë vendit është e vetmja mundësi apo i vetmi akt që e rregullon këtë fushë është udhëzimi për trajtim jashtë vendit, por nga mangësitë që i kemi evidentuar është lista e diagnozave e cila ka qenë shumë e mangët, por ka qenë obligim që të respektohet tash është bërë draft lista e re sipas rekomandimeve të drejtorëve të klinikave e cila është në procedurë të aprovimi…Secila klinikë i ka evidentuar ato shërbimet të cilat nuk mund të ofroj dhe për të cilat ka nevojë që të përkrahen financiarisht për trajtim jashtë vendit…Problematik e cila është evidentuar në udhëzim administrativ është procedura e rregullt e aplikimit që dallon procedura e rregullt dhe urgjente”, theksoi ai.

Në oborrin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor janë disa agjenci që lëshojnë profatura për pacientët që kërkojnë trajtim në Turqi, e që shpenzimet i mbulon Fondi.

Por, sipas drejtorit të FSSH-së, Bujar Kaçuri, Fondi nuk ka mekanizëm që mund ta ndalojë punën e këtyre agjencive.

Ai madje thotë se në pamundësi për një marrëveshje kontraktuale nuk ka mundësi të kujdeset edhe për pacientin, përveç se ta ndihmojë atë financiarisht.

“Ne si Fond, si institucion, nuk kemi ndonjë mekanizëm i cili do t’ua ndalonte veprimtarinë apo punën e tyre. E metë tjerët e këtij programi është se Fondi nuk ka ndonjë mekanizëm i cili do ta kontrollonte apo do t’i rrinte pas pacientit deri në marrjen e shërbimit në X spitalin, ku ai zgjedh të trajtohet, momentalisht në gjendjen aktuale Fondi çfarë të bëjë apo si ta ndaloj punën e këtyre agjencioneve, ndoshta në të ardhmen, duhet të shikohet mundësia e një bashkëpunimi më korrekt me spitalet turke apo shtetin turk që të na ofroj informacione më të sakta se ku trajtohen pacientët tanë, cilat janë çmimet reale dhe çmimet që i trajtojnë pacientët tanë dhe të shikohet mundësia te krijimi i një bashkëpunimi ndërshtetëror të mirëfilltë sepse janë para publike dhe duhet të dimë se ku po i shpenzojmë ato para…Fondi derisa nuk ka marrëdhënie kontraktuale nuk ka as se si t’i kontrolloj apo kujdeset për pacientët se ku do të trajtohen, si do të trajtohen dhe cili do të jetë tretmani që e ofron institucionin ku ai trajtohet”, thotë Kaçuri.

Duke mos dhënë ndonjë afat kohor se kur qytetarët e Kosovës do të mund të gëzojnë sigurimet shëndetësore, Kaçuri thotë se fillimisht duhet të plotësohen disa parakushte.

Ai shtoi se ndonëse plotësimi-ndryshimi i ligjit për sigurime shëndetësore ishte paraparë në agjendën legjislative të vitit të kaluar, ai është zhvendosur për vitin aktual.

“Ndoshta pamundësia e përfundimit të atyre parakushteve jemi edhe në situatën në të cilën jemi. Janë disa siç është lista e shërbimeve, Shërbimi Informativ Shëndetësor nga i cili duhet të nxirreshin të dhëna dhe ato prioritet dhe të shihet se cila është smundshmëria më e madhe e popullatës janë një sërë parakushtesh. Pra, derisa të plotësohen një sërë parakushtesh ne nuk mund të filloj implementimi i skemës së Sigurimeve Shëndetësore”, shprehet u.d e drejtorit të Fondit.

Në vitin 2022 për shkak të dyshimeve për keqpërdorim dhe keqmenaxhim për trajtimin e pacientëve në klinikat private jashtë vendit, kryesisht në Turqi, bordi i Fondit e ka shkarkuar nga detyra e drejtorit të Fondit, Fatmir Plakiqin.

Plakiqi e kishte marrë nën menaxhim FSSH-në në dhjetorin e vitit 2017.

Shpërndaje në

U Kopjua