Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka dënuar me dhjetë muaj burgim me kusht, të akuzuarin për cenim të fshehtësisë së votimit dhe asgjësim i dokumenteve të votimit, Lulzim Gashi.
Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Gashi për veprën penale “cenimi i fshehtësisë së votimit” është dënuar me tre muaj burgim me kusht, ndërsa për veprën penale “asgjësimi i dokumenteve të votimit”, me tetë muaj burgim me kusht.
Më pas, ndaj të akuzuarit është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej dhjetë muajsh burgim me kusht, raporton Betimi për Drejtësi.
Sipas gjykatësit Pozhegu, dënimi me burgim ndaj të akuzuarit Gashi nuk do të ekzekutohet, nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda periudhës verifikuese prej një viti.
Ndryshe, i akuzuari Gashi në seancën fillestare të mbajtur më 15 nëntor të këtij viti, e kishte pranuar fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohej.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 30 tetor 2019, Lulzim Gashi po ngarkohet me veprat penale “cenimi fshehtësisë së votimit” nga neni 215 paragrafi 1 dhe veprën penale “asgjësim i dokumenteve të votimit” nga neni 217 paragrafi 1 të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, më 6 tetor 2019, rreth orës 14:00 në Rahovec, pikërisht në vendvotimin 126A/02R të vendosur në shkollën “Isa Boletini”, në mënyrë të kundërligjshme cenon fshehtësinë e votimit në zgjedhjet nacionale të vitit 2019, për deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në atë mënyrë që i pandehuri pasi që e kishte mbushur fletëvotimin të dhënë nga anëtarët e komisionit zgjedhor, ai ka bërë fotografimin e votës me telefonin e tij, dhe me të vërejtur anëtarët e komisionit zgjedhor, të njëjtin e kanë ndalur për të mos e hedhur votën në kutinë e votimit pa e njoftuar policinë, i cili pasi largohet nga vendvotimi është arrestuar nga Policia.
Sipas aktakuzës, ai në vendin, kohën dhe mënyrë e përshkruar si në pikën e parë të dispozitivit të aktakuzës, asgjëson, duke e dëmtuar fletëvotimin për zgjedhjet nacionale të vitit 2019, në atë mënyrë që pasi që njoftohet nga anëtari i komisionit zgjedhor se nuk i lejohet hedhja e fletëvotimit në kuti të votimit pasi që të njëjtin fletëvotim më parë e kishte fotografuar me telefonin e tij, i revoltuar i akuzuari ka dëmtuar dhe shqyer fletëvotimin, të cilin më pas e ka hedhur në tokë.