Franca është duke u përgatitur edhe për një ditë tjetër të grevave dhe protestave kundër presidentit francez Emmanuel Macron, pasi e ka miratuar një ligj për ndryshimin e moshës së pensionimit.
Sot është dita e dhjetë e mobilizimit të sindikatave, të cilat nga mesi i janarit nisën protesta kundër ligjit, që përfshin rritjen e moshës së pensionit nga 62 në 64-vjeç.
Rrugët e Parisit patën përleshje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të sigurisë.
Një vizitë shtetërore në Francë nga Mbreti Charles III i Britanisë, e cila duhej të fillonte të dielën, u shty për shkak të trazirave.
Dje, punonjësit në muzeun e Luvrit në Paris bllokuan hyrjet dhe zhvilluan demonstrata paqësore jashtë piramidës së xhamit.
Kritikët e akuzojnë Macron se ka qeverisur efektivisht me dekret ligjin në fjalë, duke e krahasuar atë me mbretërit e lashtë të Francës.