Live

FSShK e zhgënjyer me koeficientin, ka katër kërkesa për Qeverinë

17:10 / 02 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSShK), është shprehur e zhgënjyer me vlerën e koeficientit të pagave të miratuar nga Qeveria.

FSShK përmes një komunikate për media të enjten, ka kërkuar që me urgjencë të fillohet negocimi i Kontratës Kolektive Sektoriale.

“FSSHK kërkon nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës që shtesa prej 60-euro e paraparë me Pakon e Ringjalljes Ekonomike pika 4.1. Mbështetje për Shëndetësinë të mbetet në fuqi deri në shpalljen e Pandemisë COVID-19 të mbyllur”.

“FSSHK kërkon nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës miratimin e shujtës prej 60 euro për të gjithë të punësuarit në sektorin e shëndetësisë duke përfshirë edhe stafin mbështetës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, FSShK ka kërkuar nga ana e ekzekutivit të bëjë publike koeficientet për stafin mbështetës të punësuar në të gjitha nivelet shëndetësore.

“Në fund FSSHK mirëpret reflektim  nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në lidhje me kërkesat e Këshillit Drejtues të FSSHK-së para ekzekutimit të pagave për muajin Shkurt”, bëhet e ditur tutje.

Të gjitha këto konkluzione kanë dalë pas mbledhjes së jashtëzakonshme të mbajtur të enjten nga Këshilli Drejtues i Federatës, ku pikë e vetme e rendit të ditës ishte “Shqyrtimi i vlerës së koeficientit të miratuar nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës në shumën prej 105 euro”.

Shpërndaje në

U Kopjua