Live

FSSHK paralajmëron padi ndaj MSH-së për shkëputje të njëanshme të Kontratës Kolektive 

12:06 / 25 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës (FSSHK), një ditë më parë është njoftuar nga Ministria e Shëndetësisë, se nuk do të vazhdojë me zbatimin e Kontratës Kolektive.

“Qeveria, përkatësisht Ministria e Shëndetësisë, përmes këtij njoftimi bënë të ditur vullnetin për mos vazhdimin e implementimit të Kontratës Kolektive. Dhe njëkohësisht së shpejti do të iu njoftojë për negocimin e kontratës së re ndërsektoriale, në pajtim me legjislacionin në fuqi dhe rrethanat e reja të krijuara”, thuhet në njoftimin e MSh-së, drejtuar Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës

Por përfaqësues të FSSHK-së, thonë se me këtë MSH-ja ka bërë shkelje dhe se po i shikojnë mundësitë që ta padisin ministrinë, për shkëputje të njëanshme të kontratës kolektive.

Blerim Delija, nënkryetar i FSSHK-së thotë për “IndeksOnline“, se shkëputja e kontratës ka ardhur pa paralajmërim dhe se ky veprim ka krijuar huti.

“Sa i përket ndërprerjes së kontratës kolektive të njëanshme, unë mendoj se kjo është bërë një shkelje. Nuk kemi pasur paralajmërim. Kanë bërë shkëputje, vetëm na kanë njoftu që e kanë shkëput pa paralajmërim. Kështu që ne jemi duke i shqyrtuar edhe mundësitë ligjore, se a kemi hapësirë ligjore që ta ngrisim një padi, për veprimin e njëanshëm. Edhe pse Kontrata  Kolektive nuk sheh veprime të njëanshme. Por megjithatë MSH e ka marrë atë vendim. Meqenëse kontratës që një vit e gjysmë i ka skaduar afati, por ne prapë se prapë, e kemi pasur aty të rregulluar me Nenin në të cilin shkruhet se deri në arritje të marrëveshjes për kontratë të re, vlen kontrata e vjetër, kjo momentalja”, tha ai.

Derisa e quan të ngutshëm veprimin e MSH-së, Delija thotë se U.D e ministres së Shëndetësisë Dafina Gexha-Bunjaku, u kishte premtuar që nuk do ta ndërmarrin një veprim të tillë, por të cili tashmë e kanë marrë.

“Mendoj se ka qenë një veprim i ngutshëm, se Ligji i pagave po parashihet shumë shpejtë të kaloi në parlament. Atëherë nuk ka qenë i nevojshëm, ndoshta të merret një vendim kaq i ngutshëm. Meqenëse s’kemi mundur t’i formojmë grupet dhe s’kemi mundur që brenda një muaji ta punojmë kontratën e re dhe ta nënshkruajmë dhe kjo ka mund të mbetet qysh ka qenë. Nuk i di qëllimet e Ministrisë, me çfarë qëllime e kanë marrë këtë vendim kaq të ngutshëm. Edhe pse U.D e ministrit ka premtuar se nuk do ta marrë një vendim të tillë. Jemi ku jemi, tani vendimin e kanë marrë”, tha Delija.

Shpërndaje në

U Kopjua

Të tjera nga Lajme