Live

GAP i reagon Qeverisë për të hyrat vetanake të komunave: Mund të ndikonte në projekte

17:02 / 04 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Instituti GAP ka analizuar ndarjet buxhetore për vitin 2023, duke i krahasuar ato me vitin 2022, ku theksohet se shpenzimet buxhetore në vitin 2023 parashihet të jenë rreth 3.2 miliardë euro, që shënon një rritje prej 464 milionë euro krahasuar me vitin 2022.

Në Projektbuxhetin 2023, parashihet rritje më e shpejtë e shpenzimeve rrjedhëse se sa atyre kapitale, krahasuar me vitin 2022.

Tek kategoritë kryesore të shpenzimeve rrjedhëse, rritja më e madhe buxhetore reflektohet tek kategoria e subvencioneve dhe transfereve me rreth 205 milionë euro apo 23%.

Qeveria e Kosovës aprovoi Projektligjin për buxhetin e Kosovës për vitin 2023, kurse Kuvendi e aprovoi në lexim të parë më 17 nëntor 2023.

Ndërkohë, GAP në analizën e tyre, thekson se buxheti për paga dhe mëditje në vitin 2023 është rritur për 75 milionë euro apo 11% krahasuar me vitin 2022. Tek kjo kategori, rreth 65.1 milionë euro janë të buxhetuara si kontigjenca për paga, e të cilat janë të destinuata për të mbuluar koston shtesë të një ligji të ri të pagave.

“Me Projektbuxhetin 2023 është krijuar hapësirë për 1,435 vende pune shtesë, nga të cilat 910 për nivelin qendror dhe 525 për nivelin komunal. Tek niveli qendror parashihen 300 vende shtesë për Policinë e Kosovës, 108 pozita të reja për Kuvendin e Kosovës, nga të cilat 100 si shtaf mbështetës politik. Ndërkaq tek komunat, ajo e Prishtinës do të ketë rritje të numrit të lejuar të stafit për 86 punonjës, Komuna e Prizrenit për 44 punonjës, etj. Nga gjithsej 810.7 milionë euro sa pritet të jenë investimet kapitale, 611.4 milionë euro (75%) janë vazhdim i projekteve të mëhershme dhe 199.3 milionë euro janë planifikuar për projekte të reja kapitale”, thuhet tutje.

Shpërndaje në

U Kopjua