Analisti Shkëlzen Gashi, i cili për një kohë ka qenë edhe këshilltar i kryeministrit Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të këtij të fundit, i cili në një video, kur po përkujtonte ish politikanin e komunitetit serb, Oliver Ivanoviq, për të pati fjalë të zgjedhura.
Sipas Gashit, Kurti bëri gabim kur vendosi t’a përkujtonte në atë mënyrë, sipas tij pjesëtarin e formacioneve kriminale.
Gashi ka thënë se do të ishte e udhës, që më 14 dhjetor, të përkujtoheshin 6 të rinjtë serb, të cilët u vranë, në rastin e njohur si “Panda” e për të cilët vet Presidenti Vuçiq kishte deklaruar se ai krim nuk ishte kryer nga shqiptarët.
Kjo deklaratë e Vuçiq, sipas Gashit do të duhej të merrej si shkas, për t’i përkujtuar viktimat, e jo pjesëtarët e formacioneve kriminale, pra siç ishte Oliver Ivanoviq.
Shkrimi i plotë i Gashit:
Shumë më mirë do të kishte qenë që para afërsisht një muaji, më 14 dhjetor 2022, në përvjetorin e 24-të, Kryeministri i Kosovës t’i përkujtonte 6 të rinjtë sërbë, që të gjithë civilë të paarmatosur, të vrarë në kafeterinë ‘Panda’ në Pejë dhe që në përkujtimin e tij, Kryeministri i Kosovës ta citonte deklaratën e atëherë zëvendës-kryeministrit të Sërbisë dhe shefit të Byrosë për Koordinimin e Punës së Shërbimeve të Sigurisë, Aleksandar Vučić, (aktualisht President i Sërbisë) dhënë në emisionin ‘Teška reč’ në TV Pink më 28 dhjetor 2013: «Krimi në ‘Panda’ nuk është kry nga shqiptarët, siç kemi besuar deri më tani. Publiku do të tmerrohet kur të zbulohet e vërteta».
Le t’i përkujtojmë viktimat e jo pjesëtarët e formacioneve kriminale!