Live

Gënjeshtra si mjet ekzistencial serb

15:18 / 28 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Shkruan: Fehmi Ajvazi

Në rrethana të tjera, përtej të qenit shtet që s’ka afërsi gjeografike, fërkime, raporte të tendosura me Serbinë, nuk do ishte çështje të trajtosh politikat dhe diplomacinë e këtij shteti. Aq më pak, historiografinë e tyre. Në kontekst, hiq të kaluarën e gadishullit, këtu ku Serbia e ka çerdhen e saj të cilën është munduar gjithmonë që ta vendosë në arealin ballkanik, s’ia vlen të humbet kohë me të kaluarën dhe të sotshmen e këtij shteti. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, Serbia s’paraqet gjë tjetër veçse, një fëmijë të lazdruar dhe të kriminalizuar shtetërorë. Fatkeqësisht, shqiptarëve u ka rënë hise nën diell që të jenë fqinjë me Serbinë. Dhe thënë qartë, Serbia na ka shkaktuar jashtëzakonisht dëme të mëdha me pasoja në fusha të ndryshme: nga fusha politike dhe ekonomike, e deri te ato që lidhen me shpopullimin, asimilimin, pushtimin e territoreve etj.

Mjetet me të cilat shteti serbë ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë, lidhen me penetrimet dhe investimet e shumta në fusha të ndryshme. Veçse, mund të konstatojmë se ekzistenca e këtij shteti është zhvilluar si model funksionimi përtej çdo etike, parimi, juridiksioni të normalshëm politik, ekonomik, diplomatik etj. Historikisht, funksionaliteti i shtetit serbë është ndërtuar mbi parime dhe norma që si shtylla kryesore kanë: agresivitetin, urrejtjen, pabesinë, dhe mbi të gjitha gënjeshtrën. I ashtuquajturi “babai” i kombit serbë, akademik Dobrica Qosiqi, nuk e fshihte faktin se gënjeshtra ishte një prej dhuntive të grixhës së tij. Çka do të thotë ky konstatim ?

Kur më 1844 lindi pashallëku i Beogradit, përhapja e tij nëpër Ballkan ndoqi, veç luftës dhe krimit kundër jo serbëve, edhe një mjet efikas: gënjeshtrën! Kështu, popujt që serbët i detyruan të nënshtrohen, pastaj edhe të asimilohen patën një fat specifik, përvetësimet e mëdha materiale dhe shpirtërore të këtyre të fundit: nga gjuha, religjioni, kultura, identiteti, kuzhina, urbanizmi, natyra, bujqësia etj. Historikisht, serbët një pjesë të konsolidimit dhe të standardizimit të tyre si komb, e arritën duke grabitur, përvetësuar dhe adoptuar shumëçka materiale dhe shpirtërore të të tjerëve, dhe pastaj, duke e gënjyer tërë botën se e gjitha, s’kishte qenë asnjëherë as e grabitur dhe as e përvetësuar nga askush, veçse gjithçka ishte origjinale – autoktone serbe! Në kontekst, po sjellim disa shembuj: 1. Përgjatë ekspansionit asimilues, serbët detyruan shqiptarët ortodoks dhe katolik në Mal të Zi që, të serbizohen. Termin gjeografik “Mali i Zi”, makineria serbe e shndërroi në term politik dhe diplomatik për shtetin e ardhshëm malazias. 2. Në pjesën qendrore të Ballkanit, po ashtu nga etimologjia e një termi gjeo – historik dhe politik “Maqedonia”, serbët e krijuan kombin maqedonas të përbërë nga shqiptarët ortodoks, nga vllehët, serbët etj. 3. Mbështetur nga përkatësia e tyre identitare, në Bosnje dhe Hercegovinë serbët krijuan një kombin mysliman, kushtimisht sipas përkatësisë së njohur fetare myslimane. Është paradoksale të besohet, por ky komb imagjinarë nënkupton, kryesisht asimilimin e shqiptarëve!

“Gënjeshtrës”, serbët i kanë qëndruar mbrapa me tërë makinerinë shoqërore, politike, materiale etj. Është e pa imagjinueshme të mendohet se si, serbët ia kanë arritur që nga asgjëja, të shndërrohen në komb. Prandaj gënjeshtra si mjet manipulues, ka rol strategjik në historinë serbe. Shembujt në këtë drejtim, janë të pafund. Ja disa:

1. Nga pikëpamja e gjuhës, e asaj që ne e njohim si “gjuha serbe”, me një analizë të thjeshtë etimologjike dhe sintaksore, shohim se si serbishtja është një gjuhë hibride, e vjedhur nga rusishtja, latinishtja, bullgarishtja dhe me shumicë nga gjuhës shqipe.

2. Nga pikëpamja fetare, meqë serbët i takojnë ritit ortodoks ( të krishterë) lindorë, serbët kanë manipuluar dhe përvetësuar objektet fetare të ritit katolik ( të krishterë) perëndimorë. Rrjedhimisht, meqë ata historikisht kanë ndërtuar doktrina dhe strategji politike e diplomatike me karakter makiavelist, ata kanë konstruktuar një rrjetë të tërë idesh dhe skemash përmes të cilave, e gënjejnë dhe e manipulojnë gjithë botën se si, objektet e tyre qendrore të kultit ( fesë) janë në Kosovë. E, s’duhet shumë mund për t’u vërtetuar nga kushdo se këto objekte, dikur ishin objekte të krishtera katolike të shqiptarëve.

3. Nga aspekti i muzikës, ajo që njihet si “muzika popullore serbe” s’është asgjë tjetër veçse, një art i huazuar nga melosi shqiptar, boshnjak, dhe ai bullgar. Në fakt, një art i vjedhur dhe i përvetësuar!

4. Nga aspekti i identitetit, mjafton ta shohim me pak kujdes relievin gjeografik, dhe të emrave: i pari, është një areal burimorë nga përkatësia shqiptare, dhe i dyti, është një areal i përkatësisë ortodokse – lindore, i njëjtë si për rumunët, bullgarët, rusët etj.

Mund t’u referohemi edhe plotë shembujve të tjerë, ndërsa që duhet kujtuar se në fushën politike dhe diplomatike, Serbia i ka dhënë gënjeshtrës dimension të lartë përdorimi e shfrytëzimi. Kështu, Beogradi si qendër urbane, nacionale, politike, kulturore etj., ka investuar shumë në planin e brendshëm për ta ndërtuar dhe lartësuar një identitet nacional origjinal, që në të vërtetë, kemi të bëjmë me një identitet latent, thjeshtë me një identitet të manipuluar! Po ashtu, edhe në planin ndërkombëtar, është bërë e njëjta gjë.

Pra, kemi të bëjmë me strategji dhe doktrina brenda të cilave, gënjeshtra zë vend të madh. Në kontekst, në fushën historike, politike, gjuhësore, kulturore, fetare, propagandistike, diplomatike etj., investohen miliona dollarë. Prandaj, botohen me qindra tekste historike me përplot shpifje, manipulime, përvetësime etj. Botohen dhe përhapen materiale propagandistike dhe mediale që kanë për qëllim fushata dezinformuese, fakte të gënjeshtërta, falsifikime të dokumenteve etj. Përkthehet në gjuhë të huaja, e gjithë ajo që i shërben Serbisë për ta mbajtur gjallë serbizimin. Formohen dhjetëra organizata me misione të ndryshme propagandistike – shpifëse.

Hapen gjithandej konsullata, ambasada, seli diplomatike etj., që kanë për qëllim, më shumë se sa zhvillimin dhe prosperimin, shpërndarjen dhe përhapjen e sistemit shoqërorë dhe shtetërorë makiavelist serbë. Po i marrim këtu dy shembuj: 1. Në vitin 1992, në kohën kur në Serbi rroga mesatare ishte 10 – 12 marka, estabilishmenti politikë kishte ndarë një buxhet vjetorë prej 8 milion markave që ishte i destinuar për ta manipuluar në planin e brendshëm dhe në atë të jashtëm çështjen e Kosovës. Ky buxhet, ishte përdorur me shumicë në fushën e propagandës, botimeve, mediave etj.

Gjatë gjithë gjysmës së dytë të vitit 2018 dhe gjysmës së parë të vitit 2019, ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, I. Daciq, është duke e kaluar me të ashtuquajtur problem të tërheqjes së njohjeve të Republikës së Kosovës nga shtetet e ndryshme.

Suma – sumarum, gënjeshtra, historikisht është përdorur dhe vazhdon të përdoret si mjet përfitimi në shkallë shoqërore dhe nacionale serbe. Ndaj hapësirave gjeo – etnike shqiptare, pa asnjë rezervë! Prandaj, në vend se ky mjet manipulimi të shmangej dhe të harrohej në kthinat e historisë, Beogradi vazhdon të veprojë me të njëjtin ritëm sikur në kohën e Pashiqit, të Dobrica Qosiqit, Milosheviqit etj.

Shpërndaje në

U Kopjua