Live

Gent Cakaj drejt shkarkimit pas sherrit me Edi Ramën

22:41 / 27 Dhjetor 2019

Nga Kosova Live

PRISHTINË | 27 DHJ 2019 | 16:55 | Nga KosovaLive

Asgjë nuk shkon mirë mes kryeministrit dhe atij që ai vetë ka vendosur ti lërë postin e shefit të diplomacisë në detyrë. Gent Cakaj, që nuk u dekretua kurrë në postin e ministrit të Jashtëm nga presidenti, tashmë me sa duket ka humbur edhe mbështetjen e Edi Ramës.

Burimet e lidhin atë me luftën e bërendëshme që i bëhet Cakajt nga burokratët e vjetër të rilindjes, që vazhdojnë ta shohin kosovarin e katapultuar papritmas në politikë si një mish të huaj. “Ndoshta ky presion i butë por konstant ka prekur edhe vetë Ramën” tha një burim nga PS, shkruan Lapsi.al

Por, sipas një tjetër burimi brenda ministrisë së jashtme, pika që ka derdhur gotën duhet kërkuar në atë që ka ndodhur në fillim të dhjetorit. Pikërisht në datën 6, kur Shqipëria do të merrte edhe zyrtarisht kryesimin e OSBE-së në Bratislavë.

Për një kohë të gjatë ishte menduar se kreun e delegacionit shqiptar do ta mbante ministri në detyrë Cakaj. Kjo ide u përforcua edhe më shumë pas tërmetit të 26 nëntorit dhe faktit se Rama vendosi të jetë përditë e më shumë prezent në ekranet shqiptare duke u filmuar në zonat e katastrofës. Disa thonë se ishte vetë Rama i cili nuk mund ta humbte një okazion të tillë vizibiliteti ndërkombëtar dhe vendosi të udhëtojë personalisht drejt kryeqytetit Sllovak, ashtu sikurse e njoftoi presonalisht në mbledhjen e qeverisë së mëngjesit të 6 dhjetorit.

Ndërsa të tjerë pretendojnë se ka qenë minisri i jashtëm sllovak, Lajçak, që kryesonte deri në ato momente OSBE, i cili ka vënë veton duke pretenduar se nuk mund tia dorëzonte stafetën një homologu të pa dekretuar, pra praktikisht një zv ministri, si Cakaj. Sipas këtyre burimeve ka qenë ai që ka këmbëngulur për prezencën e domosdoshme të Ramës.

Por, cili do nga këto versione të qëndrojë, një gjë është e qartë, qoftë shmangja nga shefi i tij për të mos i bërë hije, qoftë devalorizimi nga ndërkombëtarët, nuk i ka pëlqyer Gent Cakajt.

Ai vetë ishte prezent që në datën 5 dhjetor në Bratislavë për tu bërë gati për ceremoninë e kalimit të stafetës nga Sllovakia tek Shqipëria. Madje mëngjesin e kësaj date kishte publikuar një status plot emfazë: “Sot në Ministerialin e OSBE-së në Bratislavë Shqipëria zyrtarisht merr Kryesinë e OSBE-së. Pas një lobimi të fuqishëm dhe pas një pune kapitale përgatitore nga diplomacia shqiptare, një punë e përkrahur edhe nga aktorë të rëndësishëm evropianë, si në rrafshin politik e programatik ashtu dhe në rrafshin organizativ e logjistik, Shqipëria sot është krejtësisht e gatshme për të udhëhequr një Kryesi të besueshme, bashkëpunuese dhe efektive”.

Mirëpo, kur Rama mbëriti në kryeqytetin Sllovak, ministri i jashtëm në detyrë u la tërësisht në hije. Të gjithë e mbajnë mend se si kryeministri publikoi në Facebook-un e tij një video me këmbët mbi tryezë, ku po i jepte dorën e fundit fjalimit që do të mbante në prani të anëtarëve të OSBE.

Por, pak kush e ka vënë re se në atë mjedis mungon Gent Caka. Aty gjendet këshilltari i kryeministrit për mediat, ambasadori shqiptar në OSBE, por jo shefi “de facto” i diplomacisë.

Natyrisht si obligim protokollar, Cakaj u shfaq në krah të Ramës kur kryeministri mbajti fjalën në seancë (foto poshtë), por ai u zhduk sa hap e mbyll sytë menjëherë më pas.

Burimi tregon se disa herë Rama e kërkoi edhe për të pozuar në foton finale të marrjes së kryesimit të OSBE nga Shqipëria, por në formë proteste për trajtimin pa rrespekt që i ishte bërë, ministri i turpëruar në sy të vartësve të tij, nuk kishte pranuar të shfaqej.

Ashtu siç duket edhe në videon e mëposhtme Rama fton edhe anëtarët e sekretariatit të OSBE-së të shfaqen në fotografi, por aty mungon krejtësisht ministri i jashtëm në detyrë.

Pa përcaktuar dot nëse ka qenë egoizmi pa cak i Cakajt, apo protagonizmi me çdo çmim i kryeministrit që e ka shkaktuar thyerjen mes tyre, burimet e Lapsi.al konfirmojnë një zëri se këtu ka filluar krisja e pa ndreqshme.

Prej fillimit të dhjetorit, Cakaj qëndron thjeshtë si një kukull në karrigen e ministrit të jashtëm, mbi të cilën nuk u dekretua kurrë.

Kompetencat e rolit të tij, në mënyrë jo zyrtare i ka marrë të gjitha në dorë Sekretari i përgjithshëm i kryeministrisë, Engjëll Agaçi. Është ai që vendos për të gjitha çështjet e mëdha.

Ndërsa Gent Cakajt i ka mbetur thjeshtë roli i përfaqësimit, ose ai i zëdhënësit, siç e nisi këtë detyrë, kur jepte konferenca shtypi për target dhe pasaportat diplomatike.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...