Gjatë vizitës së saj zyrtare në Emiratet e Bashkuara Arabe, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, u prit në takim nga ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheiku Abdullah bin Zayed Al Nahyan.
Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë të ditur se për çfarë është diskutuar në atë takim.
““U diskutuan aspekte të ndryshme për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit, duke filluar nga ato më evidentet si investimet direkte dhe ekonomia e deri tek mundësitë më praktike që prekin përditshmërinë e qytetarëve në sferën energjisë, edukimit, bujqësisë e sigurisë në ushqim”, thuhet në njoftim.
Tutej, në njoftim bëhet e ditur se Gërvalla ka theksuar se përkundër sfidave politike dhe shoqërore, qytetarët e Republikës së Kosovës dhe qeveria e tyre janë gjithmonë e më të vendosur për të shënuar vazhdimisht progres në fusha të ndryshme ekonomike dhe shoqërore, të cilat edhe në raportimet ndërkombëtare vjetore po vlerësohen shumë.
Ministrja Gërvalla gjatë dy ditëve të ardhshme do të vazhdojë me takime me përfaqësues të ndryshëm të qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe dhe bizneseve të rëndësishme në këtë vend.