Live

Gërvalla: Zbuluam mercenarë të Wagnerit në kufi, Rusia dhe Serbia po bëjnë veprime të fshehta në rajon

15:36 / 19 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka treguar në një intervistë për gazetën hebraike, Israel Hayom se si Serbia ka kërcënuar me luftë përgjatë dy viteve të fundit.

E pyetur për rrezikun e luftës, Gërvalla tha se Serbia dhe Rusia po bëjnë “veprime të fshehta” edhe në vende tjera të rajonit.

“Vetëm në dy vitet e fundit, presidenti serb Vuçiq e kërcënoi Kosovën disa herë me luftë, madje duke vendosur trupa në kufirin tonë, duke dërguar avionë luftarakë, duke pritur ambasadorin rus për vizita atje, duke përfshirë ushtrinë ruse në ministrinë e mbrojtjes serbe, duke rritur kapacitetet ushtarake dhe stërvitjet me Rusinë nga rreth 10 deri në afro 100 në vit gjatë vitit 2021. Së fundmi, ne zbuluam mercenarët e Wagner në kufirin tonë dhe kontrabandën e armëve në Kosovë. Veprime të tjera të fshehta nga Rusia dhe Serbia po ndodhin në vende të tjera të rajonit”, tha Gërvalla.

Ndryshe nga shumë të tjerë, Gërvalla tha se “ne e njohim shumë mirë Vuçiqin dhe ministrin e tij të jashtëm Daçiq”.

“Të dy njerëzit ishin ndihmësit më të afërt të ‘Kasapit të Ballkanit’, ish-presidentit serb dhe kriminelit të luftës Millosheviq. Vuçiq ishte ministri i tij i propagandës dhe Daçiq ishte dora e djathtë e tij gjatë luftës, masakrave dhe mizorive më të rënda ndaj vendit dhe popullit tonë, jo vetëm që nuk kërkuan falje, por edhe publikisht i nderojnë kriminelët e luftës dhe i mohojnë e falsifikojnë ngjarjet”, tha kryediplomatja kosovare.

“Arsyeja që kjo qasje agresive nuk po shndërrohet në konflikt të hapur është vetëpërmbajtja e qeverisë sonë dhe prania e trupave amerikane në Kosovë. Vetëm së fundi, Shtetet e Bashkuara i dhanë një paralajmërim të ashpër Vuçiqit, i cili donte të vendoste trupa serbe në vendin tonë”, tha Gërvalla.

Ajo tha se “Kosova, ashtu si Izrali, është mësuar me kërcënime të vazhdueshme”, duke theksuar se “ne jemi pjesë e Perëndimit, ndërsa Serbia është përfaqësuese e Putinit”.

“Nuk është perfekt, por ne vazhdojmë të jetojmë jetën tonë dhe të zhvillojmë vendin tonë”, tha Gërvalla, përcjell Express.

Lufta e Rusisë në Ukrainë, Gërvalla tha se ka ndikim në të gjithë botën dhe se “është një luftë midis diktaturave e regjimeve agresive dhe botës së lirë”.

“Serbia jo vetëm që shkeli një traktat të rëndësishëm me BE-në duke refuzuar sanksionet kundër Rusisë. Në tetor 2022, Serbia nënshkroi një marrëveshje me Rusinë për ta bërë pikërisht atë që refuzoi në lidhje me BE-në – ajo nënshkroi për ta harmonizuar politikën e saj të jashtme me Putinin”, tha ajo.

Gërvalla tha se Serbia po kontribuon në vrasjen e familjeve të pafajshme në Ukrainë, ndërsa thotë se “të gjitha vendet duhet ta marrin seriozisht kërcënimin ndaj rendit ndërkombëtar”.

“Izraeli, Kosova dhe vendet e tjera, të vogla dhe të mëdha, duhet të investojnë shumë në mbrojtjen e këtij rendi të bazuar në rregulla. Nëse ne dështojmë ta mbrojmë rendin tonë paqësor botëror, të gjithë mund të përfundojmë përsëri në një epokë lufte, por këtë herë një nivel krejtësisht të ndryshëm, global”, tha Gërvalla.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...