Live

Gërxhaliu: Kriza ekonomike në Kosovë ka marrë një hov rritës, pushteti arrogant

11:03 / 02 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Distanca e pushtetit ndaj sektorit privat në vend demotivojë investitorët e huaj në Kosovë dhe nuk mund të ketë investime të huaja në qoftë se nuk mbështetët biznesi vendor, kështu thotë eksperti i ekonomisë Safet Gërxhaliu.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës shprehet se kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës e cila po ndikon edhe në aspektin social. Ai ka komentuar edhe deklaratat e qeveritarëve për indikatorët ekonomikë, ku thotë se nuk duhet të mashtrohen qytetarët me shifra.

“Kriza ekonomike në Kosovë e ka një hov rritës e cila po ndikon edhe në aspektin social, mirëpo ajo çka është më shqetësuese se te qytetarët ka revoltë dhe pakënaqësi që po manifestohet përmes sindikatave. E kemi në njërën anë qeverinë që paralajmëron dhe promovon të arriturat dhe rezultatet pozitive të indikatorëve ekonomikë, e në anën tjetër inflacioni ka arritur në 19.2 për qind sipas Bankës Botërore dhe e tëra kjo vërtet e ka futur një skepticizëm tek qytetarët për një jetë më të mirë dhe për një ardhmëri më stabile. Dhe kur krejt kësaj i shtohen edhe debatet e fundit në relacion Kosovë-Serbi ku promovohet armatimi, ku përmenden termat e ndershëm për luftë dhe dukuri të tjera negative, druaj që të gjitha këto procese edhe më tepër po e rrisin pakënaqësinë e skepticizmit tek qytetarët dhe nuk duhet të na habisë fakti që sot në Ballkanin Perëndimor shumë më tepër tentohet të largohen të rinjtë dhe kuadrot e reja se sa të mbesin në Kosovë. Prandaj është koha kur duhet të kemi dialog të mirëfilltë publiko-privat dhe jo për t’u larguar”, thekson Gërxhaliu.

Ai thotë se arroganca e pushtetit do t’i kushtojë Kosovës në imazh. Sipas tij, Kosova nuk mund të jetë atraktive për investitorët të huaj dhe për tërheqjen e tyre në qoftë se nuk është pro bizneseve ekzistuese në Kosovë.

“Vet fakti që kemi këtë mungesë të dialogut të mirëfilltë, qoftë me sindikatat ose me qytetarë, e dëshmon faktin e një distance të pushtetit që nuk i bën nder demokracisë dhe vet fakti që kemi këtë arrogancë të pushtetit përballë sindikatave, do t’i kushtojë Kosovës në imazhin e vetë. Vet fakti që në Kosovë me vite të tëra nuk kemi investitorë të huaj dhe promovohet vetëm ndihma e diasporës, ndihmë e cila është e orientuar në konsum dhe jo në zhvillim, besoj që është mëkati më i madh që po bën Kosova Kosovës. Prandaj vërtet sot kemi sfida të shumta, por në qoftë se dikush duhet ta ketë përgjegjësinë për një situatë të tillë ekonomike çfarë e ka kapluar Kosovën, mëkataret jemi ne, në veçanti institucionet vendore dhe politikëbërësit aktual’, thotë ai.

Eksperti i ekonomisë ka komentuar edhe deklaratat e fundit të ministrit të Financave, Hekuran Murati lidhur me indikatorët ekonomikë dhe rritjen e depozitave nëpër banka.

“Është e vërtet se nëse analizohen deklaratat qeveritare që thuhet se ka rritje të depozitave, por nuk e thonë të vërtetën. Të jeni në Zvicër, për të deponuar para në banka duhet të paguani tatim dhe obligime të tjera. Kështu që zhvillimi ekonomik i atyre shteteve është prioritet e në Kosovë vijnë e investojnë kapitalin dhe deponojnë, sepse nuk duhet të paguajnë asgjë. Prandaj, nuk duhet të mashtrohemi në shifra të tilla. Kosovës i duhet një zhvillim substancial, një rritje ekonomike substanciale dhe jo vetëm dekor politik dhe indikator të cilët vërtet nuk reflektohen në përmirësimin e jetës së qytetarëve në kohën kur inflacioni është shqetësues, dhe trendet ekonomike janë negative. Ndërsa diplomacia ekonomike dhe politike faktikisht është inegzistente”, përfundon Gërxhaliu. /KP/

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...