Live

Gërxhaliu: Nëse s’rimbursohet Trusti, është humbje për qytetarët e ekonominë

15:13 / 18 Janar 2023

Nga Kosova Live

Ish-Kryetari i Odës Ekonomikë të Kosovës, Safet Gërxhaliu ka thënë se nëse Trusti nuk rimbursohet, ai mund të shkaktojë humbje edhe për qytetarët edhe për ekonominë e vendit.

Në një prononcim për Ekonomia Online, ai ka thënë se Qeveria duhet të garantoj rimbursimin.

Qeveria duhet të garantoj rimbursim të trustit, pa garanti nga Qeveria që do ta rimbursoj Trustin do të jetë një humbje edhe për qytetarë edhe për ekonominë. Duhet të kuptohet që një tërheqje e Trustit do të ndikoj në mënyrë të drejtpërdrejt në konsum, duke pas parasysh faktin që Kosova është shtet i varur nga importi do të rritej inflacioni dhe do të kemi shumë më tepër qarkullim të parasë se sa që do të kemi mallra dhe kjo do ta dëmtojë më tepër sektorin privat”, është shprehur ai.

Në anën tjetër, Gërxhaliu u shpreh se jo vetëm Kosova, por e gjithë bota është tronditur si pasojë e krizës globale ekonomike.

Sipas tij, nuk duhet të ngrihet panik, pasi siç thotë ai, në tregjet financiare ndodhin gjëra të tilla.

Jo vetëm Kosova, por krejt bota është e tronditur fal krizës globale ekonomike, më të atakuar janë tregjet financiare globale, në këtë drejtim nuk duhet të ngrihet panik sepse në tregjet financiare ndodhin dukuri të tilla, por e vërteta është se këtu nuk kemi humbje të kursimeve të qetarëve, por është zhvlerësim i fitimit që ka arritur Trusti në të kaluarën, prandaj nuk duhet të ketë panik sepse po e shihni që tregjet janë duke u stabilizuar dhe dua të besoj që së shpejti do ta kemi një rikuperim të humbjeve”, tha tutje ai.

Shpërndaje në

U Kopjua