Live

Gjykimi për huliganizëm në protestën e 2013-ës, anëtari i Vetëvendosjes nuk i bindet gjykatësit

19:03 / 29 Mars 2023

Nga Kosova Live

Anëtari i Vetëvendosjes Egzon Azemi në seancën e së mërkurës, në rastin ku i njëjti së bashku me ministrin Xhelal Sveçla dhe 10 të tjerë po akuzohen për huliganizëm në protestën e 2013-ës, është konfrontuar verbalisht me gjykatësin e rastit Eroll Gashi.

Për shkak të mungesës të të akuzuarave ministrit Xhelal Sveçla, si dhe Dardan Molliqajt, Pajtim Havollit, Arsim Maqastenës Agron Kabashit , Frashër Krasniqit dhe Nol Nushit, Gjykata Themelore e Prishtinës në seancën e së mërkurës, ka vendosur që ndaj tyre të veçohet procedura.

Ndërkaq, seanca vazhdoi me tre te pandehurit tjerë prezent në seancë: Egon Azemi Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha, të cilët nuk janë pajtuar që të veçohet kjo procedurë, por gjykata duke u bazuar ne nenin 35 të Kodit të Procedurës Penale mori vendim dhe veçoi procedurën penale ndaj tyre.

Pas veçimit të lëndës nga gjykatësi Gashi seanca vijoi me leximin e aktakuzës nga prokurori Besart Gashi me ç’rast të pandehurit Pajtim Demaj dhe Afrim Hoxha u deklaruan të pafajshëm, duke shtuar se kjo është një aktakuzë politike.

Fillimisht i akuzuari Egzon Azemi i ka dorëzuar gjykatësit të rastit Eroll Gashit një dokumentacion shëndetësor në të cilin sipas tij, thuhet se duhet të realizojë një vizitë shëndetësore, duke thënë se për këtë arsye nuk mund të qëndrojë në seancë, mirëpo me të marr shkresat shëndetësore gjykatësi Gashi tha se nuk vërehet askund një termin për ditën e sotme.

“Gjykata pasi mori dokumentacionet shëndetësore sa i përket të pandehurit Egzon Azemit nuk specifikohet data apo ora ku të njëjti i është caktuar ndonjë termin që sot apo ndonjë tjetër të jetë i pranishëm andaj gjykata me këtë rast nuk konsideron se ka arsye”, tha gjykatësi Gashi

Pas këtij refuzimi nga gjykatësi Gashi i akuzuari Azemi tentoi të largohet nga salla e gjykimit, duke u thënë se po i shkelet e drejta për kontrolle mjekësore.

Ai më pas, ka refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve të gjykatës.

Pasi që përfundojë procedura e deklarimit të tyre lidhur me pranimin ose jo të fajësisë seanca e sotme përfundoi nga gjykatësi Gash, duke i njoftuar palët për të drejtën e paraqitjes së kërkesës për kundërshtimin e provave dhe hedhjen e aktakuzës në afat prej 30 ditësh.

Ndryshe, seanca e shqyrtimit fillestar për këtë rast kishte dështuar të mbahej më 9 mars të këtij viti në mungesë të të akuzuarve Dardan Molliqaj, Agron Kabashi, Egzon Azemit, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi dhe Nol Nushi.

Në këtë rast të akuzuar ishin edhe Sami Avdiu, Besnik Qelaj dhe Bekim Shkodra, mirëpo gjykata kishte veçuar procedurën penale ndaj tyre.

Ndaj Besnik Qelajt dhe Bekim Shkodrës ishte bërë edhe shpallja e aktgjykimit më 2 gusht 2022, duke u dënuar me 1 vit e gjysmë burgim me kusht për veprën penale “ Pjesmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.

Ndërkaq, për të akuzuarin Sami Avdiu, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” dhe për të akuzuarin Bekim Shkodra për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, do të mbahet gjykim i veçantë.

Në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e ngritur në mars të vitit 2014, rezulton se të akuzuar për këtë vepër penale krahas ministri Sveçla janë edhe Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj.

Sipas aktakuzës, në protestën e organizuar më 27 qershor 2013, kundër ratifikimit të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të akuzuarit kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera qelqi, shishe e mjete piroteknike kundrejt disa zyrtarëve policorë, ku si pasojë lëndime të lehta kanë pësuar katër policë dhe janë dëmtuar katër vetura zyrtare.

I akuzuari Bekim Shkodra po akuzohet edhe për veprën penale të sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj thuhet se më 27 qershor 2013 në rrugën “Nëna Terezë” në Prishtinë, gjatë protestës me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Gjithnjë sipas kësaj aktakuze, Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, ku si pasojë e këtyre veprimeve, lëndime të lehta trupore kanë pësuar policët-të dëmtuarit Rifat Geci, Halil Syla, Agim Xheli dhe Bashkim Hyseni.

Sipas prokurorisë, gjatë kësaj proteste janë shkaktuar edhe dëme materiale ku janë dëmtuar uniformat dhe pajisjet zyrtare të zyrtarëve policorë gjatë ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike e po ashtu i kanë dëmtuar dy vetura, pronë e Qeverisë së Kosovës dhe dy vetura pronë të Policisë së Kosovës, duke shkaktuar kështu pasoja të rënda.

Me këto veprime, prokuroria i ngarkon të akuzuarit se secili veç e veç ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizmi” nga neni 412, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 4 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën dënimi parashihet me dënimi me gjobë prej 200 deri 10 mijë euro për huliganizëm me pasoja të vogla ose me burgim deri në pesë 5 vjet burgim për huliganizëm me pasoja të rënda.

Ndërsa dispozitivi i dytë i kësaj aktakuze, Bekim Shkodrën e ngarkon edhe për veprën penale të “Sulmit ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare” nga neni 410, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo për të cilën kryesi dënohet me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...