Live

Gjyqtari “fle” mbi lëndën, qe 1 mijë e 758 ditë nuk e caktoi seancën për fajde

21:47 / 26 Nëntor 2022

Nga admin

Gjyqtari Naser Foniqi nuk ka caktuar seancë të re ndaj katër të akuzuarve për fajde që nga seanca e fundit e mbajtur më 2 shkurt 2018. Pra seanca e fundit është mbajtur para 1 mijë e 758 ditëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë në prill të 2016-ës ka ngritur aktakuzë kundër Enver Avdullahut, Rrahim Sallahut, Fatlum Abazit dhe Bujar Avdullahut, nën dyshimin se duke shfrytëzuar pozitën materiale të të dëmtuarit Kushtrim Musliu, gjatë periudhës 2011-2015, i kishin dhënë atij borxh shuma të ndryshme të parave dhe mjeteve motorike, në të cilat shuma edhe kishin marrë fajde.

Ky rast ishte ndarë në punë për ta trajtuar tek gjykatësi Naser Foniqi. Që nga shkurti 2018, gjykatësi Foniqi nuk e ka caktuar asnjë seancë lidhur me këtë rast. Arsyetim për këtë është marrë fakti se njëri nga të akuzuarit nuk ka deponuar kërkesën për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike dhe ngarkesa me lëndë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo përgjigje është bërë e ditur nga zyrtarja për informim e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sipas saj, nga gjykatësi i kësaj çështje Naser Foniqi, është njoftuar se në seancën e fundit të mbajtur më 5 shkurt 2018, njërit nga të akuzuarit i është dhënë mundësia që konform nenit 58 të Kodit të Procedurës Penale, të bëjë kërkesë për mbrojtës me shpenzime publike, mirëpo të cilën kërkesë sipas gjykatësit i njëjti nuk e ka parashtruar.

“Ndërsa, meqenëse nuk është pranuar një kërkesë e tillë, shqyrtimi gjyqësor ka mbetur pa u vazhduar, duke marrë parasysh edhe ngarkesën e madhe të cilën e kanë momentalisht gjyqtarët nga Departamenti për Krime të Rënda”, ka thënë Gashi.

Në një përgjigje tjetër, Gashi ka deklaruar se “Të akuzuarit të cilit i është dhënë mundësia që konform nenit 58 të KPP-së të bëjë kërkesë për mbrojtës me shpenzime publike është Bujar Abdullahu”.

E drejta për të paraqitur kërkesë për mbrojtës me shpenzime publike, kur mbrojtja nuk është e detyruar, është e përcaktuar me ligj. Përkitazi me këtë, Kodi Nr. 04/L-123 i Procedurës Penale [neni 58.3] përcakton se “Kërkesa për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike sipas paragrafit 1. të këtij neni mund të bëhet gjatë gjithë procedurës penale. Kryetari i gjykatës ose organi kompetent i cili zbaton procedurën në fazën paraprake vendos për kërkesën dhe cakton mbrojtës.”. Kështu, sipas ligjit, nuk bëhet fjalë se të akuzuarit “i është dhënë mundësia”. Kjo mundësi është e paraparë me ligj.

Që nga seanca e fundit e mbajtur me 2 shkurt 2018 e deri më tash kanë kaluar mbi 4 vjet e 9 muaj e 24 ditë, përkatësisht afro 5 vjet. Në atë seancë të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Kjo mënyrë e veprimit të gjykatësit nuk është e bazuar në ligj dhe as në praktikë, sipas Lavdim Makshanës, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi. Në bindjen e tij, ky veprim i gjykatësit paraqet skandal në vete derisa arsyetimi i tij është banal.

“Kodi i Procedurës Penale i ka dhënë të drejtë të pandehurit për të paraqitur kërkesë për caktimin e mbrojtësit me shpenzime publike. Në rastin konkret, gjyqtari ka thënë se i ka aprovuar një të drejtë, e cila veçse është e garantuar me ligj. Por, edhe sikur të abstrahohet ky fakt, dhe të themi se me këtë gjyqtari e ka nënkuptuar se të pandehurin do ta pres deri në seancën e radhës që të paraqes këtë kërkesë, është e pakuptueshme që gjyqtari ta pres dikend afro 5 vite për të sjellë një kërkesë dhe mos ta caktojë seancën, përkundër faktin se Kodi i Procedurës Penale përcakton se i gjithë gjykimi duhet të përfundojë më së gjati brenda 150 ditëve. Në këtë rast, bëhet fjalë për një kërkesë e cila shkon në drejtim të interesit të të pandehurit, nëse i pandehuri dëshiron ta bëjë këtë, dhe nuk bëhet fjalë për asnjë lloj pengese procedurale për vazhdimin e procedurës penale”, ka thënë Makshana.

Sipas hulumtuesit Makshana as arsyetimi se ka pasur ngarkesë me lëndë nuk është i qëndrueshëm në këtë rast për gjykatësin Foniqi, i cili sipas hulumtimit, rezulton se ka trajtuar lëndë më të reja sesa kjo aktakuzë.

“Fillimisht, e kemi parasysh se numri i madh i lëndëve në punë ndoshta pamundëson trajtimin e rasteve brenda afateve të përcaktuara me ligj. Por, në rastin konkret, ky fakt nuk mund të merret parasysh. Po flasim për një aktakuzë e cila është ngritur në vitin 2016 dhe e cila do duhet të trajtohej deri më tash, edhe duke pasur parasysh ngarkesën me lëndë. Gjykatësi në fjalë është duke trajtuar raste sipas aktakuzave të ngritura në maj të vitit 2019 apo edhe në mars të vitit 2021, ndërsa nuk ka trajtuar aktakuzën e ngritur në vitin 2016. Kështu, nuk e di për çfarë bëhet fjalë, por nuk do duhej të përdorej ngarkesa me lëndë si arsyetim për mos trajtim të një lëndë të vitit 2016, përderisa janë trajtuar lëndë më të reja, përfshirë edhe të vitit 2021”, është shprehur ai.

Sipas Makshanës, për situata analoge ku mos veprimi kishte qenë për një periudhë edhe më të shkurtër, Këshilli Gjyqësor i Kosovës një gjykatësi i kishte shqiptuar masë disiplinore. Sipas tij, nëse merret parasysh kjo praktikë e ndërtuar nga KGJK, gjyqtari në fjalë qartazi ka kryer shkelje disiplinore.

“Betimi për Drejtësi” me 14 nëntor 2022 i ka dërguar pyetje gjyqtarit Naser Foniqi, i cili është pyetur në detaje në lidhje me veprimet e tij në këtë lëndë. Si nëse duhet të pritur pafundësisht të pandehurin për t’i dhënë mundësinë për të caktuar mbrojtësin, si e arsyeton faktin se ka pritur 5 vjet për të caktuar seancë, si arsyetohet fakti se ka trajtuar lëndë edhe me të reja dhe nuk ka trajtuar një aktakuzë të ngritur në vitin 2016 dhe nëse me këto veprime ka kryer shkelje disiplinore sipas Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve dhe precedentin e ndërtuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

Në të gjitha këto pyetje, gjykatësi Naser Foniqi është përgjigjur shkurt me shkrim.

“E nderuar, ju lutem ma sjellni vendimin e menaxhmentit të Gjykatës për qasje në lëndë e pastaj unë menjëherë do ua jap informacionin që ju po e kërkoni”.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...