Ndonëse ishte ngarkuar për një vepër penale në të kaluar, emri i gjyqtarit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, Asllan Krasniqit, i është propozuar Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, për t’u emëruar gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me AKP-në.
Krasniqi, ish-anëtar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ndodhet në listën prej pesë gjyqtarëve që Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK) i ka propozuar Presidentit të Kosovës për t’u emëruar gjyqtar në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme.
Siç merr vesh Insajderi, gjyqtari i cili ka një njollë të zezë në karrierën e tij si shërbyes në sistemin juridik të shtetit – një vepër penale për vjedhje të rrymës elektrike – është përkrahur për t’u përzgjedhur si gjyqtar në Dhomën e Posaçme nga Enver Peci, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës.
Peci ka qenë pjesë e Komisionit Vlerësues për propozimin e kandidatëve për gjyqtar të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme.
Me propozimin për këtë pozitë, në rast emërimi në detyrë nga presidenti Thaçi, Asllan Krasniqi do të merret me rastet pronësore milionëshe të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, raporton Insajderi.
Është siguruar listën e kandidatëve të propozuar për emërim në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, pjesë e së cilës është Asllan Krasniqi. Aty thuhet se deri në vendimin e presidentit Thaçi, Krasniqi do vazhdojë të punojë si gjyqtar i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Në emër të Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës z.Skender Çocaj, ju njoftojmë se KGJK në takimin e mbajtur me datën 25 tetor 2019, ka propozuar tek Presidenti i Republikës së Kosovës emërimin e gjyqtarëve në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës për Çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit”, thuhet në njoftimin e KGjK-së.
Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme për çështjet në lidhje me Agjencinë Kosovare të Privatizimit është pjesë e Gjykatës Supreme. Ajo është themeluar më 2011.
Ky institucion i drejtësisë ka trashëguar punën e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës mbi çështjet që kanë të bëjnë me Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, e themeluar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut.
Lista e kandidatëve të propozuar për gjyqtarë të Dhomave të Posaçme të Gjykatës Supreme
Gjykata fshehu lëndën kundër Asllan Krasniqit, të akuzuar për vjedhje
Asllan Krasniqi është gjyqtar në Gjykatën Themelore të Prishtinës në Departamentin për çështje ekonomike. Deri vonë ka qenë anëtar i Këshillit Gjyqësor, organ ky menaxhues i sistemit gjyqësor të Kosovës.
Gjatë gjithë kohës sa ka qenë në këtë pozitë, por edhe gjyqtar, mbi të ka rënduar një vepër penale e vjedhjes.
Por, kolegët e tij në degën e Gjykatës Themelore të Malishevës janë kujdesur që aktakuza e tij mos të shqyrtohet kurrë. E kanë lënë të parashkruhet vepra penale dhe të hidhet poshtë.
Insajderi kishte publikuar para disa muajve aktvendimin e Gjykatës Themelore të Gjakovës, Dega në Malishevë, për hedhjen poshtë të aktakuzës. Aty jepeshin detaje të veprës penale me të cilën ngarkohej ish-anëtari i KGJK-së, dhe gjyqtari i Gjykatës Themelore të Prishtinës.
“Hidhet propozim akuza e Prokurorisë Komunale në Prizren e datës 15.02.2008 dhe pushohet procedura penale kundër të pandehurit Asllan Krasniqi, për shkak të veprës penale të vjedhjes nga neni 252 paragafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, pasi që ka arritur parashkrimi relativ i ndjekjes penale”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës që mbanë datën 24 maj 2013.
Pala e dëmtuar KEK-u Divizioni i rrjetit Distrikti Prizren, ishte udhëzuar që për realizimin e kërkesës pasurore-juridike të bënte padi civile.