Mentor Bajraktari, gjyqtari i Departamentit Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili vendosi për lirimin e Dejan Pantiqit nga paraburgimi, është emëruar të martën nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Dejan Pantiq, ish-polic i Kosovës, u arrestua më 10 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës. Sipas autoriteteve të Kosovës, ai dyshohet për organizmin e “sulmit terrorist” të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Pantiq është liruar sot nga paraburgimi me aktvendim të Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe kjo masë i është zëvendësuar me masën e arrestit shtëpiak raporton Paparaci. Vendimin për lirimin e Pantiqit e ka shpallur gjyqtari Mentor Bajraktari.
Bajraktari është akuzuar nga deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, për aktin e lirimit të Pantiqit.
“A m’tregon kush se si një gjyqtar normal arrinë me vlerësu se terroristi qenka më sigurt n’shpi se n’burg? Po me pas qenë n’Serbi i kish shqiptu masë ma t’randë se ky n’Kosovë”, ka shkruar sot Basha.
Mentor Bajraktari, të martën është emëruar nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë me vendim të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.
“Gjyqtari Mentor Bajraktari është zgjedhur nënkryetar i Gjykatës Themelore në Prishtinë me mandat i cili do të jetë i lidhur me mandatin e Kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë”, njoftoi KGjK-ja të martën.
Bajraktari është gjyqtar në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Gjyqtari Bajraktari ka diplomuar në vitin 2007 në Universitetin Shtetëror të Tetovës-Fakultetin Juridik në Republikën e Maqedonisë.
Ai kreu provimin e jurisprudencës në vitin 2013. Ndërsa në vitin 2015 ka përfunduar me sukses Trajnimin Fillestar, Provimin Përgatitor dhe Përfundimtar për Gjyqtar pranë Institutit Gjyqësor të Kosovës në Prishtinë.
Në muajin dhjetor të vitit 2020 është caktuar gjyqtarë në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, pozitë të cilën ende e mban.