Një grevë prej 6 orësh e kanë paralajmëruar për sot punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, pasi përpjekjet për të dialoguar me menaxhmentin rreth kërkesave të tyre deri më tash nuk kanë treguar rezultate.
Sipas paralajmërimeve greva do të nis në ora 08:00 dhe do të përfundojë në ora 14:00. Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka thënë se nëse krijohen situata të pamenaxhueshme në Aeroport atëherë menaxhmenti do të jetë i detyruar të kërkojë ndihmë nga organet e rendit.
Kërkesat e punëtorëve karshi menaxhmentit të Aeroportit të Prishtinës janë kompensimi dhe benefitet për rrezikshmërinë në punë, eliminimi në dallimet e pagave në rastet ku punëtorët kanë detyrat dhe përshkrimin e njëjtë të punës, orët e njëjta të punës duke ngritur pagat e ulëta në nivelin e barabartë me kolegët, pagesën për përvojë të punës, orët e punës gjatë vikendit të paguhen, si dhe pagesa e shujtës.
Në dy ditët e mëparshme, greva ka shkaktuar vonesa dhe tollovi në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, duke bërë që shumë fluturime të shtyhen.