Live

Grupi i parë i ushtarëve ukrainas përfundon trajnimin amerikan në Gjermani

10:53 / 18 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Grupi i parë prej 635 luftëtarësh ukrainas ka përfunduar një trajnim të avancuar pesë-javor amerikan në Gjermani mbi aftësitë e sofistikuara luftarake dhe mjetet e blinduara, tha Pentagoni më 17 shkurt.

Trupat iu nënshtruan një kursi intensiv që i përgatit ata të marrin automjetet luftarake Bradley dhe M109 Paladins në fushëbetejë.

Stërvitja pritet të jetë vendimtare në ofensivën e ardhshme të pranverës kundër rusëve.

Një grup i dytë prej rreth 710 trupash ukrainase ka mbërritur në zonën e trajnimit Grafenwoehr të Gjermanisë, tha zëdhënësi i Pentagonit, gjenerali Pat Ryder.

Në tetor të vitit të kaluar, Këshilli i Bashkimit Evropian krijoi një mision për ndihmë ushtarake në Ukrainë (EUMAM Ukraine) – misionin e parë të këtij lloji, të cilin BE-ja e ndërmerr kolektivisht.

Sipas marrëveshjes, deri në 15 mijë ukrainas do të trajnohen në territorin evropian, por lihet mundësia që, në përputhje me nevojat, kjo shifër të rritet.

Ndër vendet që kanë ofruar territorin e tyre për stërvitjen e ushtarëve ukrainas janë: Gjermania dhe Polonia.

Gjithashtu, Berlini tha muajin e kaluar se synon të dërgojë rreth 30 tanke për të ndihmuar forcat ukrainase që të luftojnë pushtimin rus, pasi Gjermania u përball me presion nga Kievi dhe mbështetësit e tij që të japë dritën jeshile për lejimin e dërgimit të tankeve.

Por, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, pas takimit me homologët e tij të NATO-s në Bruksel, tha se deri më tani kanë mbledhur vetëm 14 tanke të reja Leopard të llojit A6, dhe tre nga Portugalia.

Gjermania, Polonia dhe Ukraina kanë mbajtur bisedime me anëtarët e tjerë të NATO-s në margjinat e samitit në Bruksel të martën, në tentim për të siguruar më shumë tanke për Kievin.

Pistorius tha se do të mbahen bisedime të tjera më vonë gjatë kësaj jave me donatorë të tjerë potencialë.

Ukraina ka kërkuar nga mbështetësit e saj perëndimorë që t’i dërgojnë tanke moderne, në mënyrë që të luftojë ofensivën ruse.

Polonia po ashtu është zotuar se do të dërgojë një batalion me Leopard 2 në Kiev dhe aktualisht është duke trajnuar trupat ukrainase për t’i përdorur këto tanke.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...