Live

Haliti: Qeveria “Haradinaj” prodhoi më shumë probleme se sa suksese

10:00 / 01 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, ka thënë se qeveria “Haradinaj” nuk bëri diçka të jashtëzakonshme gjatë mandatit të saj, përveç problemeve politike të cilat kanë pasur të bëjnë me çështjen e bisedimeve me Serbinë.

Haliti në një intervistë për gazetën e Prishtinës “Zëri” ka hedhur kritika ndaj Haradinajt edhe sa i përket raporteve të tij me bashkësinë ndërkombëtare. Ai e kritikoi Haradinajn për taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe, duke thënë se askush nuk mund të qeverisë me forcë brenda Evropës.

“Secila qeverisje duhet t’i ndjekë rregullat evropiane dhe duhet të funksionojë mbi bazën e marrëveshjeve ndërkombëtare, të cilat janë arritur. Unë e kam kundërshtuar në fillim taksën dhe mendoj se nuk kam qenë gabim për shkak të bindjeve të mia”, ka theksuar Haliti.

Haliti në këtë intervistë e ka listuar si dështim të Haradinajt edhe kundërshtimin që ia kishte bërë Marrëveshjes për Demarkacion me Malin e Zi sa ishte në opozitë, përderisa kur erdhi në pushtet e votoi po atë marrëveshje.

Shpërndaje në

U Kopjua