Anëtari i kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti ka reaguar ndaj deklaratës së Ministres, Albulena Haxhiu, ku kjo e fundit ka kërkuar nga prokurori të dorëzohet, për rastin ku Haxhiu dhe disa deputet po akuzohen për hedhje të gazit lotësjellës.
Hamiti në Facebook ka thënë se po të ndodhte ajo se çfarë po kërkon Haxhiu do të të krijohej precedent i rrezikshëm.
Pasi sipas tij do të përligjej përdorimi i gazit lotsjellës prej kujtdo në Kuvend për çfarëdo ‘kauze’ që zgjedh ai/ajo.
“Po qe se do të ndodhte kjo, siç po kërkon Ministresha e Drejtësisë, do të krijohej precedent i rrezikshëm. Do të përligjej përdorimi i gazit lotsjellës prej kujtdo në Kuvend për çfarëdo ‘kauze’ që zgjedh ai/ajo. Arsenali i dhunës politike do të zgjerohej dhe legjitimohej. Prej vendit ku flitet, ku kuvendohet, Kuvendi i Republikës së Kosovës do të kthehej në një fushëbetejë. S’do të ishte Kuvend më”, ka shkruar ai.
Hamiti tutje ka thënë se gjyqësori i Kosovës nuk guxon të dorëzohet siç kërkon ministrja Haxhiu.
“Gjyqësori i Kosovës s’guxon të dorëzohet, siç po kërkon Ministresha Haxhiu. Shkurt e shqip: pushteti politik nuk guxon t’i thotë prokurorisë: dorëzohu! Kjo është vepër penale.” – ka përfunduar ai.