Latifete Ballazhi-Fida është emëruar në një funksion publik përmes një procesi të dyshimtë rekrutimi. Vëllai i saj që mban pozitën e kryetarit të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi, ka mohuar të ketë pasur ndikim ndaj saj. Njëjtë veproi edhe kryesuesja e komisionit në këtë konkurs, Mevlude Ballazhi, e cila po ashtu është familjare me të dy të lartcekurit, raporton Paparaci.
Komuna e Hanit të Elezit hapi një konkurs më 30 shtator të këtij viti. Aty kërkohej një edukatore për çerdhen publike ‘Ardhmëria’.
Në këtë proces të rekrutimit aplikuan tre kandidatë, që pretendonin se i plotësonin kushtet.
Mes tyre edhe Latifete Ballazhi, e cila është motra e kryetarit të Hanit të Elezit, Mehmet Ballazhi.
Pas përfundimit të testit me shkrim dhe intervistës me gojë, që janë mbajtur me 29 nëntor, respektivisht, 8 dhjetor, e njëjta u shpërblye për pozitën që kishte aplikuar.
Rekrutimi i Ballazhit bëhet më i dyshimtë për shkak se kryetare e komisionit vlerësues ishte një e afërme e saj, Mevlude Ballazhi, e cila mes tjerash është edhe drejtoreshë e kësaj çerdheje publike.
Bile, kjo e fundit e pranon që i ka të familjes edukatoren dhe kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit.
Por, thotë se nuk ka konflikt interesi në përzgjedhjen e saj në çerdhen ‘Ardhmëria’.
Përveç Ballazhit, në komisioni vlerësues ishin edhe Selime Shkreta – anëtare, Ajeta Duraj – anëtare, Sear Dernjani– anëtar si dhe Irfan Qajani – anëtar,
Latifete Ballazhi- Fida, e cila ishte e paqasshme për Paparacin, më 8 dhjetor mori lajmin se ajo është zgjedhur për pozitën e edukatores. U poentua me 135 pikë gjithsej.
Në anën tjetër, Mevlude Ballazhi e cila ishte në krye të komisionit, thotë se e tërë procedura në përzgjedhjen e motrës së kryetarit Ballazhi ka qenë në rregull.
E kontaktuar nga Paparaci, ajo u shpreh çdo gjë ka shkuar sipas procedurave. E pohon se është vendosur në krye të komisionit, pikërisht nga kryetari i Komunës, Mehmet Ballazhi.
Ajo mendon se nuk ka konflikt interesi, ndërsa shton se drejtoreshë e çerdhes është bërë nga ish-qeverisja e Refki Sumës.
“Gjithçka ka qenë sipas procedurave. Komisioni, intervista. Kryetari i Komunës më ka vendosur në krye të komisionit, është rregullore aty ku shkon punëtori. Kemi pasur gjashtë anëtarë, secili ka bërë vlerësimin e vet”.
“Unë nuk mendoj që ka konflikt interesi. Jam drejtoreshë prej qeverisë së kaluar, kur ka qenë kryetar Refki Suma. S’besoj që ka konflikt interesi. Po po (e pranon se është e afërt me kryetarin e Komunës dhe motrën e tij). Ashtu kanë vlerësuar anëtarët e tjerë”, tha ajo në një prononcim për Paparacin.
Kësisoj mendoi dhe deklaroi kryetari i Hanit të Elezit. Mehmet Ballazhi shprehet se nuk ka ndikuar në punësimin e motrës së tij në çerdhen publike ‘Ardhmëria’.
Për më tepër, ai shprehet se e ka pyetur njërën prej anëtarëve që ka qenë në komision se a ka shkuar gjithçka në rregull në emërimin e motrës së tij në atë çerdhe.
Ai tha për Paparacin se e përjashton mundësitë se është shkelur ligji për punësimin e motrës së tij.
“Sipas jush, po u dashka kurrkush me konkurru nëse dikush në komision është me këtë mbiemër. A ka naj lidhje kjo që kjo është drejtoreshë? Po flasim për procedura, nëse nuk kanë qenë në rregull, atëherë mund të flasim, përndryshe jo. Sigurisht që ka qenë në rregull. Komisioni e ka vlerësuar, sot e kam pasur bordin e drejtorëve, e pyeta anëtaren e komisionit që është e personelit, tha që ka shkuar gjithçka në rregull”, vijoi Ballazhi.
“S’besoj që ka konflikt interesi, s’ma merr mendja mu. Komisioni është, ata i kanë përcjellë. Janë procedurat. Unë vetëm e shpalli konkursin dhe e nënshkruaj. Unë kam kërkuar që të monitorohet çdo proces, jo veç këtë, që mos me na mundu me na thirrë”.
Megjithatë, kryetari Ballazhi që vjen nga radhët e PDK-së, e pranoi se ka pasur vazhdimisht kritika ndaj pararendësit të tij në Komunën e Hanit të Elezit, Refki Suma, për nepotizëm apo punësime familjare në pozita publike.
Por, e kundërshton në mënyrë demonstrative se këtë po e bën edhe ai prej që mori besimin e qytetarëve në vitin e kaluar, natyrisht edhe të motrës së tij, e cila merrte pjesë bashkë me vëllanë në fushatën e fundit zgjedhore.