Live

Haradinaj e Krasniqi sot intervistohen në Hagë

07:34 / 24 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj pritet që të intervistohet sot nga prokurorët e dhomave të specializuara të Gjykatës Speciale. Sot, gjithashtu pritet që para prokurorëve të kësaj gjykate në Hagë të dalë edhe ish- kryeparlamentari Jakup Krasniqi. Që të dytë kanë deklaruar se në Hagë janë ftuar për t’u intervistuar si të dyshuar.

“Tërësisht në të drejtën e Kosovës, i palëkundur për vendimet e mia jetësore dhe i patrazuar e ballëlartë. Kosova ka ecur përpara në rrugëtimin euro-atlantik dhe është më e fortë se kurrë, në rreshtin e paqes dhe miqësi të përhershme me ShBA-në. Kosova është e gatshme të dialogojë me Serbinë deri në arritjen e një marrëveshjeje finale ligjërisht obliguese, përfshi njohjen reciproke në kufijtë ekzistues. Por, tregun e japim vetëm për njohje. Me nder kam mbrojtur të drejtën tonë, dje, sot dhe do ta mbrojë gjithmonë”, ka shkruar një ditë më parë ish-kryeminitri Haradinaj në Facebook.

Në anën tjetër presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se shkuarja në Hagë e kryeministrit në dorëheqje Ramush Haradinaj është një shfaqje. “Nuk pres ndonjë gjë, vetëm një farsë”, ka thënë Vuçiq në televizionin serb Pink.

“Haradinaj do të lirohet shumë shpejt, pastaj ai do të jetë edhe më hero dhe do të thotë se ai mbrojti interesat e shqiptarëve. Mos keni asnjë dyshim se diçka e ndryshme do të ndodhë edhe këtë herë”, ka thënë më tej Vuçiq.

Shpërndaje në

U Kopjua