Live

Haradinaj ende s’e ka dorëzuar aktin e dorëheqjes tek Presidenti

16:31 / 22 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Përderisa ende nuk dihet nëse kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, do ta dorëzojë sot aktin e dorëheqjes tek i pari i vendit Hashim Thaçi, ashtu siç kishte paralajmëruar ditën e premte, një gjë e tillë mund të ndodhë edhe nesër. Haradinaj në një intervistë për Radion e Europa e Lirë ka thënë se janë në hartim të letrave dhe me protokoll, letrat zyrtare mund të shkojnë sot, por mund të shkojnë edhe nesër në mëngjes. “Jemi duke shqyrtuar bazën kushtetuese për këtë dorëheqje, sepse është dorëheqje pa mocion, është dorëheqje e qeverisë.”

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, në këtë intervistë ka  folur edhe për situatën e cila pritet pas dorëheqjes së tij. Ai ka thënë se duhet të mbahen zgjedhjet e reja duke respektuar afatet kohore. Sipas Haradinajt, nuk ka arsye që mbajtja e zgjedhjeve të vonohet.

“Është me rëndësi, jo sepse ka vakuum qeverisës, por që t’i jepet sovranit mundësia për të vendosur sa më shpejt. Do të ishte me rëndësi që në afatet kohore – diku rreth dy muaj – të ndodhin zgjedhjet.

Ai tha se si qeveri në dorëheqje, nuk duhet të lejojmë vakuum, nuk duhet të lejojmë çfarëdo parregullsie, qoftë të qeverisjes, qoftë ligjore, ose jostabilitet. Kushtetua jonë ka paraparë veprimet e nevojshme në këto raste. Pas finalizimit të letrave për dorëheqje, parlamenti mund të vetëshpërbëhet në një datë të caktuar ose presidenti mund të propozojë shpërbërjen e parlamentit dhe shkuarjen në zgjedhje.

Në këtë intervistë, Haradinaj po ashtu ka treguar edhe arsyet që e çuan atë që të heqë dorë nga posti i shefit të ekzekutivit, të cilat janë të ndërlidhura  me ftesën që gjykata speciale në Hagë i ka bërë atij. Sa i përket reagimeve të partive politike pas dorëheqjes së tij, ai tha se secili nga pikëpamja e vet është shprehur, që, sipas tij, disa kanë qenë korrektë e disa nuk kanë mundur të përmbahen.

Sidoqoftë, kryeministri në dorëheqje sot ka shkruar në faqen e tij zyrtare në facebook një porosi drejtuar qytetarëve por edhe qëndrimin e tij karshi situatës në vend: “Faleminderit të gjithëve!Jeni shumë që më përkrahët këto ditë. Nuk jam ndier vetëm asnjëherë! Tregun për njohje, e jo ndarjen e Kosovës e as Dodik Republikë në Kosovë” shkruan Haradinaj në Facebook.

Shpërndaje në

U Kopjua