Live

Haradinaj i kundërpërgjigjet “flakë për flakë” gjeneralit serb

08:27 / 06 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, i është kundërpërgjigjur komandantit të ushtrisë serbe, Milan Mojsiloviq, i cili një ditë më parë deklaroi se ushtria serbe e ka përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se “edhe Millosheviq dikur mendonte njësoj, por i doli keq”.

“Komandanti i ri i ushtrisë së vjetër famëkeqe të Serbisë, Milan Mojsiloviq, paska deklaruar se kanë përkrahjen e ushtrisë ruse për sfidat në Kosovë. Ia kujtojmë atij se edhe Millosheviq mendonte njësoj, por i doli keq. Ata duhet t’i ndalin këto provokime”, ka thënë Haradinaj në reagimin e tij.

Gjenerali serb, Milan Mojsilovic, u bë kryelajm për një deklaratë të tij kërcënuese ndaj Kosovës.

 “Kemi përkrahjen nga zyrtarët e lartë ushtarakë rusë se si të veprojmë lidhur me çështjen e Kosovës. Natyrisht se jemi të interesuar për sigurinë e serbëve jo vetëm në veri të Kosovës, por në gjithë vendin”, tha Mojsilovic  gjatë vizitës zyrtare në Moskë.

Pas deklaratës kërcënuese ka pasur reagime të shumta nga zyrtarë të vendit, të cilët kanë thënë se me këto veprime Serbia po tenton t’i kundërvihet NATO-s

Shpërndaje në

U Kopjua