Live

Haradinaj mbrohet me heshtje, Krasniqi nuk tregon për çka u pyet

14:55 / 24 Korrik 2019

Nga Kosova Live

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka përfunduar intervistimin në Gjykatën Speciale në Hagë duke u mbrojtur në heshtje. Haradinaj ka deklaruar pas daljes nga Gjykata se kështu ka vepruar pasi ka pasur këshilla ligjore që të mbrohet me heshtje, raporton RTK.

“Kam pranuar këshillën ligjore që të mos përgjigjem fare në pyetje. Me këtë obligimet ligjore ndaj Gjykatës janë kryer, obligime tjera nuk kam. Kjo është e tëra që mund të them sot. Nuk ka një materie, përmbajtje, se për çka bëhet fjalë dhe këshilla ligjore ka qenë që të mos hyj në diskutime tjera por të mbrohem në heshtje. Nuk e di për çka jam ftuar, kam kërkuar spjegime, për rolin tim në UÇK po, por jo diçka konkrete”, ka thënë Haradinaj pasi ka dalë nga Specialja.

Haradinaj ka shtuar se “Prokuroria nuk ka shprehur dhe nuk ka paraqitur ndonjë obligim tjetër timin ndaj tyre, arsyeja pse kam dhënë dorëheqje ka pas të bëjë me nocionin e shtetit sepse këtu kam ardhur vetëm”. “Kthehem si gjithë tjerët në politike, të ofrohem para qytetarëve, me ato tema që janë në interes të qytetarëve”, tha tutje Haradinaj.

Edhe ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi, është intervistuar në Gjykatën Speciale, por nuk ka treguar se në çfarë cilësie është ftuar.

Ai para mediave ka folur shumë shkurt, duke i falënderuar ato për interesimin.

“Kemi kryer obligim ligjor konform ligjeve në fuqi. Faleminderit që keni ardhur dhe gjitha të mirat për juve”, është shprehur ai.

Shpërndaje në

U Kopjua