Me të drejtat elementare të shtypura çdo ditë e më shumë, e me torturat e burgosjet që bënte regjimi serb, filluan lëvizjet e të rinjëve në shumë rajone të Kosovës.
Revolta të kohës siç i quan i ftuari i radhës në emisionin “n’Demos”, Daut Haradinaj thotë se i filluan qysh në kohën e gjimnazit.
“Ajo ka qenë një revoltë personale e secilit që ka mujt me ja kthy dorën serbisë të kohës, nuk mundemi me fol për urdhëra, por duhet me ia ofru popullit UÇK-në ashtu qysh u kanë, nuk ka nevojë hiq me zbukuru as me ngjyrosë, sepse origjinali ka qenë tepër storie e suksesshme. Ne kemi bërë rezistencë si të ri, atëherë kur na i ndërrun emrat shqip me ata serbë, ne si të ri, shkuam dhe e demoluam shtatoren e një serbi që ishte ngritur në oborr të shkollës. Ky ka qenë reagimi i parë i joni, ndoshta në shenj revolte për shkak se edhe na i mbyllën shkollat, edhe na i ndërrun emrat, ishte direkt një tendencë për të na mohu të drejtën me jetu në Kosovë, pastaj filloi aparati i dhunës”, ka deklaruar ai.
Kthesa e tyre në përdorimin edhe të armëve nisi pas vrasjes së studentit Armend Dacit në Prishtinë nga një snajperist.
“Kulmi ka qenë vrasja e studentit Armend Dacit, unë aty kam pasur armë me veti gjatë ceremonisë së varrimit, dhe jemi mundu atë dit që me bo një prezencë publike, por edhe me ndërhy sepse ishin barrikadu shumë forca serbe, kem pas ide me dal me marrë hak për Armendin, por mirë që s’kemi vepru, sepse kishim mujt me pësu, sepse kemi qenë shumë të ri, unë i kam pas dy pistoleta, por gjatë natën e kemi sulmu stacionin e Irzniqit në shenj hakmarrje për vrasjen e tij, ka mundur të jetë viti diku 1996, prej aty kem fillu ma drejtpërdrejt që me i sulmu pikat serbe për mos me i lanë më të qetë”, ka thënë ai.