Live

Haxhiu i shkroi letër ministres serbe, por kush janë Nezir Mehmetaj e Petrit Dula?

15:59 / 13 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ministria e Drejtësisë Albulena Haxhiu, dje njoftoi se përmes një letre dërguar homologes së saj serbe Maja Popoviq, ka kërkuar që dy qytetarët e Kosovës, Nezir Mehmetaj dhe Petrit Dula, që mbahen prapa grilave në Serbi të transferohen në Kosovë.

Të dy këta akuzohen për kryerjen e krimeve të luftës në kundër popullatës civile në Kosovë, gjatë vitit 1999.

Haxhiu në letrën dërguar ministres serbe, ka kërkuar që Mehmetaj e Dula, të vijnë në Kosovë e akuzat ndaj tyre të trajtohen nga organet tona, pasi në Serbi sipas ministers Haxhiu, procesi ndaj tyre është karakterizuar me shkelje të shumëta ligjore.

“Z.Mehmetaj dhe z.Dula janë qytetarë të Kosovës pra edhe nën mbrojtjen e Republikës. Procesi i deritanishëm ndaj dy qytetarëve të Republikës së Kosovës është i përbërë nga shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, për vite të tëra.

Çdo akuzë ndaj tyre për krimet e pretenduara, duhet trajtuar nga organet e drejtësisë në Republikën e Kosovës.” – ka shkruar ndër të tjera Haxhiu.

Kush janë Nezir Mehmetaj e Petrit Dula?

Nezir Mehemetaj

Nezir Mehmetaj, u arrestua më 3 janar të vitit 2020 në Merdar. Ai po vazhdon të qëndrojë në paraburgim në Serbi.

Mehmetaj kishte ardhur nga Zvicra për pushime në vendlindje, por gjërat nuk i kishin shkuar sipas planit. Nezir Mehmetaj në janarin e 2020-s u arrestua në pikën kufitare në Merdar nën dyshimet për krime lufte dhe, që prej asaj kohe, ai po qëndron në paraburgim në Serbi. Mehmetaj u ndalua nga autoritetet serbe derisa po kthehej në Kosovë së bashku me nënën e tij nga një spital në Nish.

Familjarët e Mehmetajt ishin ankuar se ky i fundit nuk gëzon shëndet të plotë. Sipas tyre, ish ushtari i UÇK-së, ka probleme me diabetin.

Së fundmi, ndaj Mehmetajt ka pasur një vendim të Gjykatës në Serbi, saktësisht në janar të këtij viti, e ku kosovarit i është vazhduar paraburgimi deri në muajin prill.

Rasti Mehmetaj, Konjufca letër Borrellit

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, sa ishte në rolin e ministrit të punëve të jashtme, i pati shkruar një letër shefit të diplomacisë evropiane, Joseph Borrell, nga i cili kishte kërkuar ta shtrijë ndikimin e tij tek autoritetet serbe, në mënyrë që Mehmetaj të transferohej në Kosovë.

Shkelje të të drejtave, e probleme shëndetësore, ishin kryefjala e letrës së Konjufcës drejt Borrell, kur po kërkohej lirimi i Mehmetajt.

“Që nga arrestimi zoti Mehmetaj është në mbajtje në Burgun Qendror në Beograd, ndërsa Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës në Beograd është duke zhvilluar procedurë penale ndaj tij, thuhej në letrën e tij.

Familja e zotit Mehmetaj ka deklaruar që Nezir Mehmetaj bashkë me familjen e tij të ngushtë ka jetuar në Zvicër rreth 30 vjet. Sipas avokatit, që e ka angazhuar familja e tij, i cili e ka përcjellë arrestimin e zotit Mehmetaj, Zyra e Prokurorit ka riintervistuar apeluesin, banor i Gjermanisë, dhe apeluesi nuk e akuzon zotin Mehmetaj si të përfshirë në këtë rast. Deklarata e apeluesit, që është në favor të zotit Mehmetaj, nuk i është paraqitur gjykatës kompetente në Beograd nga Prokuroria gjatë tre muajve të fundit. Meqë zoti Mehmetaj vuan nga diabeti, gjatë kohës në mbajtje, gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar dukshëm”, theksohej më tutje.

Familja Mehmetaj ka pasur vazhdimisht pakënaqësi lidhur me reagimin e institucioneve të Kosovës ndaj këtij rasti.

Petrit Dula

Dula për dallim nga Mehmetaj, është i dënuar me vendim të shkallës së parë në Serbi.

Ai u dënua me dy vjet burgim.

Gjykata e Lartë e Beogradit e dënoi anëtarin e dyshuar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës, Petrit Dula, me dy vjet burg për pjesëmarrje në rrahjen e një civili në Kosovë në vitin 1999.

Gjyqtarja Snezana Nikoliq Garotiq i tha Gjykatës së Lartë të Beogradit të martën se Petrit Dula u shpall fajtor për kryerjen e një krimi lufte, sulm ndaj një civili në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë në qershor 1999.

Sipas aktakuzës, në gjysmën e dytë të qershorit 1999, pjesëtari i supozuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dula, së bashku me disa persona të paidentifikuar, kapën me forcë civilin Gazmend Kryeziu nga një shtëpi në një fshat afër qytetit të Gjakovës në Kosovë.

E çuan në shtëpinë e Dulës, ku Dula e keqtrajtoi civilin në mënyrë çnjerëzore, e dhunoi fizikisht dhe e plagosi.

Aktakuza pretendonte se Dula e goditi Kryeziun, me shkop bejsbolli, i hodhi një shishe dhe e goditi sipër veshit të majtë me një shishe të plotë, ndërsa ai ishte ulur në një karrige me duar të lidhura, ndërsa pjesëtarët e tjerë të UÇK-së e goditën me kondakë pushke dhe e goditi me grushte dhe shkelma.

Më vonë ata e transportuan atë në një shtab të UÇK-së në fshatin Babaloc, ku anëtarë të tjerë të panjohur të UÇK-së vazhduan ta abuzonin dhe pyesnin se ku ishin varrosur guerilët e tjerë dhe të afërmit e tyre që vdiqën gjatë luftës dhe nëse ai mori pjesë në luftën nga pala serbe. .

Ai u lirua të nesërmen me urdhër të komandantit të paidentifikuar të shtabit të UÇK-së në Babaloc.

Dula u deklarua i pafajshëm në fillim të gjyqit në shtator.

Ai pretendoi se nuk ishte pjesëtar i UÇK-së dhe se nuk kishte armë e as uniformë. Ai po ashtu ka thënë se gjatë luftës së Kosovës ka qenë në Bullgari.

Megjithatë, gjyqtari Garotiç Nikoliç tha se gjykata vërtetoi se ai ishte anëtar i UÇK-së.

Ai u dënua pavarësisht se viktima e dyshuar Kryeziu i tha gjykatës në tetor se i pandehuri “nuk është ai njeriu” që mori pjesë në rrahjen e tij.

Ai mohoi që ai specifikisht e emëroi Dulën si një nga autorët kur u mor në pyetje nga hetuesit serbë në Podgoricë në vitin 2011.

Dy dëshmitarë të tjerë – që thuhet se janë gratë e Krueziu – ndryshuan gjithashtu dëshmitë e tyre gjatë gjyqit në Beograd për të mos inkriminuar Dulën.

Por Nikolic Garotiç tha se një nga hetuesit që fillimisht mori dëshmitë në vitin 2011 i tha gjykatës se ata flisnin lirshëm dhe se procesverbali i dëshmisë së tyre iu lexua përsëri, raportonte balkaninsight.

Vendimi ndaj tij ishte një vendim i shkallës së parë dhe mund të apelohet.

Nuk dihet nëse letra e ministres Haxhiu do të ketë efekt, në lidhje me lirimin e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua