Live

Haxhiu kërkon dorëheqjen e Kurtit pas rastit të foshnjes në Spitalin e Pejës

00:05 / 22 Dhjetor 2022

Nga Kosova Live

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka reaguar për rastin e foshnjes së vdekur që u fut në rrobalarëse në Spitalin e Pejës, rast për të cilin fillimisht raportoi Indeksonline.

Ai thotë se kryeministri Kurti i cili njëherësh është edhe kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi do duhej të dorëhiqet pas këtij rasti skandaloz.

“Ky rast i tmerrshëm në Pejë është si pasojë e mospërgjegjësisë së stafit i cili është pa zot shpie, pa përkrahje dhe pa menaxhim të duhur pasi nuk ka kush t’i inspektojë për punën që bëjnë”, thotë mes tjerash Haxhiu.

Reagimi i plotë:

Skandali me copëtimin e foshnjes së pajetë, e cila është futur në lavatriçe bashkë me çarçafë në Spitalin e Gjinekologjisë në Pejë po tentohet të kalojë në heshtje, ashtu siç u kaluan shumë raste të humbjes së jetës, vjedhjet dhe keqpërdorimet që nga pandemia COVID-19 e deri më sot në sektorin e shëndetësisë.

Ministria e Shëndetësisë tash e sa muaj është pa ministër adekuat, por që rolin e tij e luan kryeministri si i vetemëruar kryetar i Komisionit Ekzekutiv për Shëndetësi.

Ky i vetemëruar “ministër” pas këtij skandali do të duhej automatikisht të jepte dorëheqje.

A nuk ka sy për ta parë se Ministria e Shëndetësisë sot shihet vetëm si plaçkë, kush çka të mundet me zhvatë e me vjedh.

Listat e pritjes për diagnostifikim dhe operacione po rriten çdo ditë, po largohen mjekët ku mbi 200 vetëm këtë vit janë larguar nga Kosova.

Janë gati tri vite qeverisje dhe asnjë veprim për ta ndryshuar gjendjen në shëndetësi.

Ky rast i tmerrshëm në Pejë është si pasojë e mospërgjegjësisë së stafit i cili është pa zot shpie, pa përkrahje dhe pa menaxhim të duhur pasi nuk ka kush t’i inspektojë për punën që bëjnë.

Qytetarët po tregohen të vëmendshëm dhe të duruar duke parë se kanë mbetur pa zot shtëpie, i cili nuk po e din as vetë pse është aty, si kryeministër me agjendë shkatërrimin e çdo sektori e të arriture që nuk mban emrin e tij.

Shpërndaje në

U Kopjua