Lutfi Haziri nga LDK-ja thotë se marrëveshja në Ohër do t’i përngjajë marrëveshjes së Prespës për Maqedoninë Veriore.
Haziri përmes një shkrimi në “Facebook” thotë se kjo marrëveshje ka të bëjë me katër probleme serioze dhe sipas tij, faji kryesor shkon tek kryeministri Kurti.
“Marrëveshja e Ohrit do t’i përngjajë marrëveshjes se Prespës për Maqedoninë Veriore, e cila në substancë ka debllokuar një proces, por në implementim pritet të dalin vështirësi serioze. Tashmë është një akt i kryer. Kjo do të mbahet në mend si marrëveshja e parë e kryeministrit Kurti me katër probleme serioze brenda saj”, shkruan Haziri.
“U deshën më shumë se dhjetë vjet të kuptohet se marrëveshja e vitit 2013 është marrëveshja më e mirë e mundshme apo e keqja më e vogël për Kosovën sa i përket akomodimit të pakicës serbe në nivel të pushtit lokal, në kuadër të Republikës së Kosovës”, shton tutje Haziri.
Haziri thotë se kryeministri Kurti duhet të dëshmojë që në implementim nuk lejon humbje dhe deformim në ndërtimin e ‘pushtetit të tretë’, eventualisht në kuadër të Asociacionit .
“Z. Kurti, përpos shpjegimeve të domosdoshme se pse i humbi këto vite të mëdha në këtë proces, duhet të dëshmojë që në implementim nuk lejon humbje dhe deformim në ndërtimin e ‘pushtetit të tretë’, eventualisht në kuadër të Asociacionit që ai e emëroi si Zajednicë”, shton Haziri.
“Tashmë procesi si i tillë e ka kërkesën dhe presionin edhe më të madh për implementim dhe cdo tendencë që kjo marrëveshje të kalojë në forume tjera, është tendencë që ta ndajë apo përpjestojë përgjegjësinë me ata që nuk kanë marrë pjesë në mënyrë aktive apo pasive në kuadër të dialogut ‘one man shoë’ që kryeministri këto dy vite e krijoi”, shkruan Haziri.
Haziri thotë se, viti 2022 ishte i humbur, por sipas tij kryeministri Kurti e bëri edhe më të humbur 2023-tën me marrëveshjen e Ohrit ku sipas tij u injorua e kaluara, por erdhi Asociacioni.
“Viti 2022 ishte vit i humbur për të pasur në qendër një njohje te nxjerrë nga Republika e Serbisë për Republikën tonë, ndërsa vitit 2023 do të jetë me marrëveshje të përkohshme, me status të paragjykuar për Republikën e Kosovës, me injorim të të kaluar së afërt dhe me krijim të Zajednicës plus”, përfundon Haziri.