Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 35 vite burg për Marjana Cmetën, e cila akuzohet se në 30 maj të 2017 ka helmuar me fostoksinë vjehrrën e saj Lirie Lami.
21-vjeçarja pranoi se e vrau ish-vjehrrën pasi ‘’dyshonte se do t’i bënte magji’. Gjatë kohës së krimit, ajo ishte shtatzënë.
Nusja tregoi se i kishte dhënë vjehrrës të pinte “lëngun magjik” për të shuar të gjitha ato konfliktet që kishin prej muajsh.
“I kishte thënë që këtë lëng e kanë pirë të gjithë dhe se do na bënte mirë për të mos patur probleme. Ajo i tregonte hoxhë Hysenit që erën e fortë që kishte patur lëngu për shkak të helmit, e kishte justifikuar tek mamaja duke i thënë asaj që erën e ka për shkak se e kishte bërë Hoxha dhe e kishte siguruar që e kishin pirë të gjithë”, thuhet në burimet e Prokurorisë.
Më pas duke parë që viktima nuk po ndërronte jetë, nusja ka kryer dhe veprime fizike duke e mbytur me shall dhe pas reagimeve të viktimës e ka kafshuar në fytyrë dhe pjesë të tjera të trupit.
Pas kësaj ngjarjeje të rënda, familja Çmeta dhe Lami ndërprenë përfundimisht marrëdhëniet midis tyre. Çifti Marjana dhe Oltjani u divorcuan pas debateve dhe zënkave të shumta.