Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, e ka hudhur poshtë aktakuzën e ushtruar ndaj pesë të dyshuarve: E.R. dhe Sh.K, (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin e dhunimit të 11-vjeçares i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022.
Aktvendimi është marrë nga gjyqtari Adnan Isufi, ku sipas tij, aktakuza, përkatësisht propozimi në gjashtë pika është i pa plotë raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në këtë vendim, thuhet se Gjykata me rastin e shqyrtimit të aktakuzës është e kufizuar që të mos paragjykoj epilogun e çështjes penale në meritum dhe në vlerësimin e plotë dhe përfundimtar të kualifikimit të veprës penale.
“Derisa gjykimi ende nuk ka filluar, Gjykata nuk e ka gjithashtu të mundur të vlerësoj nëse gjendja faktike është e provuar në mënyrë të plotë dhe përtej çdo dyshimi në bazë të provave sepse kjo do të ishte krejtësisht paragjykuese për epilogun e gjykimit”, thuhet në vendim.
Gjyqtari Isufi në këtë vendim ka theksuar se akti akuzues në pikën 1 lidhur me të miturin G.R, G.J dhe Xh.S, në pikën II lidhur me të miturin G.R, në pikën III lidhur me të pandehurin E.R, në pikën IV lidhur me të pandehurin E.R, në pikën V lidhur me të pandehurit Sh.K dhe në pikën VI lidhur me të miturit G.R dhe Xh.S nuk është përpiluar në pajtim me nenin 241, të KPRK-së, përkatësisht akt akuzues, është i paplotësuar edhe pas kërkesës për përmirësim.
Tutje, në vendim thuhet se aktakuza përkatësisht propozimi në pikat e lartcekura nuk është mjaftueshëm i qartë, është i ngatërrueshëm dhe përshkrimi faktik nuk përputhet qartazi me kualifikimin juridik të veprave penale.
Sipas gjykatës, shkuarja me lehtësi në shqyrtim gjyqësor ndaj personave të dyshuar mbi bazën e një akti akuzues i cili nuk ndan saktësisht veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar dhe kur përshkrimi faktik qartazi nuk përputhet me kualifikimin juridik, përbënë shkelje jo vetëm të dispozitave të procedurës penale por edhe të drejtave të njeriut dhe administrim jo të duhur të drejtësisë.
Në këtë vendim thuhet se ngritja e aktakuzës në mënyrë që gjatë shqyrtimit gjyqësor të hetohet rasti apo që të përmirësimet të lihen në fazë të tjera të procedurës është i papranueshëm.
“Gjykata nuk ka kërkuar sqarime se kë akuzon organi i ndjekjes dhe as nuk ka theksuar që organi i ndjekjes nuk duhet të ngarkon dikë për ndonjë vepër. Ajo që ka kërkuar gjykata është thjesht ndarja e dispozitivëve për veprimet inkriminuese të secilit person të dyshuar veç e veç dhe përshkrimin e saktë të veprimeve individuale inkriminuese që materializohen në dispozita materiale të Kodit Penal”, thuhet në vendim.
Sipas gjyqtarit Isufi, janë dhjetëra aktgjykime të cilat janë prishur dhe kthyer në rivendosje për shkak që veprimet inkriminuese të pandehurve nuk kanë qenë të veçuara.
Kështu, sipas gjykatës mungesat lidhen me elementet thelbësore që pamundësojnë procedimin tutje, ashtu që ka hudhur aktakuzën në mënyrë që t’i ofrohet mundësia prokurorisë së shtetit që në raport me të miturit dhe të pandehurit të bëjë analizat e nevojshme që të ngrit aktin akuzues të ri.
Lidhur me këtë, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur më 18 janar 2023 ka ushtruar Ankesë kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, për shkak të shkeljes së të drejtës procedurale.
Sipas Prokurorisë, gjykata e ka ngatërruar fazën e hetimit me procedurën e administrimit të provave në gjykatë dhe se bindjet e tilla të gjyqtarit janë tërësisht të gabuara, të papranueshme dhe paragjykuese.
Në ankesë thuhet se gjyqtari pa asnjë bazë ligjore ka vendosur që prokurorisë të mos i jap fare mundësinë për të paraqitur para saj rezultatin e hetimeve të kryera për disa muaj.
“Në rastin konkret Aktakuza dhe Propozimi gjegjësisht diapozitivat janë plotësisht të qartë dhe të kuptueshëm dhe përshkrimi faktik është në përputhje të plotë me kualifikim juridik të veprave penale gjithnjë duke u mbështetur në provat në të cilat është mbështetur Aktakuza dhe Propozimi”, thuhet në ankesën e Prokurorisë.
Në fund, prokurorja e shtetit Sheribane Selimi-Muçaj i ka propozuar Gjykatës së Apelit që të aprovoj në tërësi këtë ankesë dhe të anuloj Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë-Departamenti për të Mitur, duke kërkuar që lënda të kthehet në rivendosje pasi që pasojat në rastin konkret janë të pariparueshme dhe të pa revokueshme edhe për palën e dëmtuar por edhe për administrimin e duhur të drejtësisë.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares.
Lajmi ishte bërë i ditur përmes një komunikate për media nga kjo prokurori, ku thuhej se të akuzuarit gjenden në paraburgim.
“Sipas aktakuzës, i pandehuri E.R., ngarkohet për veprat penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhu me paragrafin 1 të KPRK-së, ndërsa i pandehuri Sh.K., ngarkohet për veprën penale “Shërbimet seksuale të viktimës së trafikimit”, nga neni 228 paragrafi 7 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhej në njoftim.
Po ashtu, thuhej se njëri prej të miturve ngarkohet për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227, paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, “Trafikimi me njerëz”, nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së dhe “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 par. 1 të KPRK-së.
“Ndërkaq, dy të miturit e tjerë ngarkohen për veprat penale “Dhunimi”, nga neni 227 paragrafi 8 lidhur me paragrafin 7 dhe paragrafin 4 të KPRK-së, si dhe për veprën penale “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”, nga neni 232 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së”, thuhej tutje.