Ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, tha sot se Asociacioni i komunave me shumicw serbe do të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe se dizajni i saktë i tij duhet të përcaktohet nga të dyja palët në negociata.
“Asociacioni është pjesë e dialogut të Brukselit që nga viti 2013 dhe duhet të formohet në mënyrë që komuniteti serb, kryesisht në Mitrovicën e Veriut, të shohë se si do të jetë e ardhmja e tij. Mendoj se aktualisht po shikojnë shumë modele që janë në përputhje me standardet evropiane”, tha Hill për Pink TV, transmeton Demokracia.com.
I pyetur se cili është afati për formimin e Asociacionit, nëse është periudha para apo pas zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri të Kosovës, Hill tha se “nuk mund të flasë për afate kaq të shkurtra” dhe shtoi se është i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar i cili “foli për disa afate dhe se gjithçka mund të përfundojë deri në fund të vitit 2023”.
“Por mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha diplomati amerikan.
Hill vlerësoi si “shumë të suksesshme” negociatat në Ohër më 18 mars, kur presidenti serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti arritën një marrëveshje gojore për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve.
“Mendoj se kanë bërë përparim. Do të doja të shihja disa gjëra më konkrete, por mendoj se po ecim shumë qartë drejt zbatimit të këtij procesi të dialogut. Duhet ende shumë për të bërë, veçanërisht në artikulimin se si do të duket Asociacionit, kjo është një çështje kyçe”, shtoi ai.
Hill tha se po bisedohet për organizimin e një takimi të ri mes Vuçiqit dhe Kurtit dhe shtoi se do të jetë një mundësi “për të sqaruar disa gjëra”.