Live

Hill i tregon kufijtë në Luginë, për shqiptarët atje mendon nga Beogradi

17:25 / 29 Mars 2023

Nga Kosova Live

Veterani i diplomacisë amerikane, Christopher Hill, momentalisht ambasador në Beograd, zbriti dy ditë në Luginën e Preshevës. Shqiptarëve ua ka këputur shpresat se të drejtat e tyre diskutohen në dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Vizitën e ka përmbyllur në bazën ushtarake serbe, në jug. “Së bashku më të fortë”, thuhej për ushtarakët serbë dhe amerikanë në njoftimin e misionit që e udhëheq Hill.

Ambasadori i tanishëm i SHBA-së në Beograd nuk u bë emër i njohur në rajon, kur e mori këtë detyrë. Christopher Hill është prej diplomatëve që njihet prej kohësh me Ballkanin. Duke u ditur qëndrimet e tij gjatë 99-s, si emisar special për Kosovën, për shqiptarët po rikthehej një mik në rajon, ndërsa për serbët një nga përkrahësit e nisjes së bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë.

Por, Hill në detyrë duket se ka “zhgënjyer” shqiptarët. Së fundmi ai ka nxitur reagime në Kosovë, pas një postimi të tij për 24 vjetorin e bombardimeve, ku thoshte se serbët kurrë nuk do ta harrojnë atë. Solidarizimi i tij me Serbinë u komentua edhe nga zyrtarë të shtetit, dhe një fjalim i Kryeministrit Kurti, që u cilësua si kundërpërgjigje ndaj ambasadorit.

“Askush nuk duhet të ndihet i turpshëm apo fajtor në mesin e trupit diplomatik, qofshin amerikan apo evropian apo tjetër, as në Prishtinë e as në Beograd. Vuajtja njerëzore e Kosovës është e vërteta historike e Serbisë. 24 marsi është një ditë e madhe, çdo vit, andaj, të gjithëve dhe për të gjithë: Gëzuar dhe kënaquni”, ka thënë Kryeministri.

Megjithatë, ky episod kaloi dhe diplomati veteran amerikan vazhdoi shërbimin e tij në Beograd. Këtë fillimjavë, Hill ka lëvizur për në jug të Serbisë, në qytetet me shumicë shqiptare.

Përfaqësuesit politikë të Luginës së Preshevës i kanë pasur së fundmi disa vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kanë adresuar kërkesën e tyre që të ketë reciprocitet për pakicat kombëtare. Pra, shqiptarët në Serbi të kenë trajtimin e njëjtë si serbët në Kosovë.

Diplomati amerikan shkoi të Luginë për t’u thënë atyre se kjo nuk është e mundur. Ai tha se të drejtat e tyre janë çështje e brendshme e Serbisë.

“Dialogu i Brukselit është duke vazhduar që nga viti 2013. Unë mendoj se BE ka marrë një detyrë shumë të vështirë dhe dialogu i Brukselit nuk parasheh reciprocitetin. Reciprociteti që ju flisni, që ka të bëjë me qytetarët shqiptarë brenda Serbisë, duhet të zgjidhet brenda Serbisë. Kushtetua e Serbisë e thotë se shqiptarët janë të barabartë me të tjerët në Serbi. Shumë njerëz në korin diplomatik vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje këtyre problemeve. Janë probleme të cilat jemi të brengosur të gjithë  dhe duhet të ketë një zgjidhje”, tha Hill.

Ai tha se i ka dëgjuar shqetësimet e popullsisë shqiptare në Serbi dhe do të shohë se si do të mund t’u ndihmojë atyre.

“Do të kthehem në Beograd dhe më leni të mendoj dhe të shoh se si mund të jem i dobishëm por mendoj se është shumë e rëndësishme se njerëzit e kanë të qartë në atë çfarë e thonë dhe çfarë kërkojnë”, ka thënë ai.

Sa ishte në Luginë, në një intervistë për një medium lokal, Hill ka folur edhe për idenë e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që ishte aktive – me aq sa është ditur publikisht – gjatë viteve 2018-2020. Diplomati amerikan tha se kjo çështje nuk është në agjendë dhe se do të ishte e rrezikshme po të ndodhte.

“Unë nuk besoj dhe e di me siguri që shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendën e Shteteve të Bashkuara. E di se kjo ka qenë një temë e shekujve të kaluar, jo vetëm në Evropë, por edhe në vendet tjera, por shkëmbimet e territoreve mund të jenë shumë fatale dhe mund të përfundojë që shumë njerëz të mbesin të palumtur me këtë”, ka thënë Hill.

Vizitën në qytetet me shumicë shqiptare e përfundoi duke u ndalur në bazën ushtarake të Serbisë në jug të vendit.

Përafrimi i Serbisë me Perëndimit, specifikisht me SHBA-në, rrjedhimisht distancimi i saj me Rusinë është lexuar si një nga qëllimet e misionit diplomatik që i është dhënë si detyrë Ambasadorit Hill.

Pas përfundimit të vizitës, Ambasada amerikane në Beograd, duke publikuarpamje të stërvitjeve të ushtarakëve në “Bazën Jug”, ka përshkruar fuqinë e bashkëpunimit mes serbëve dhe amerikanëve.

“Një shfaqje e pabesueshme e fuqisë së bashkëpunimit të sigurisë amerikano-serbe sot në Qendrën e Trajnimit për Njësitë Operacionale Shumëkombëshe “Baza Jug”, duke ilustruar edhe një herë se ne jemi së bashku më të fortë”, thuhen në postimin, e shoqëruar me një video.

Shpërndaje në

U Kopjua