Avdullah Hoti, deputet i Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK) e cilëson ”joserioze“ dhe ”tallje“ mbajtjen e tri seancave brenda ditës për tri tema me rëndësi për qytetarët.
Përmes një postimi në Facebook, të enjten Hoti tregon se në ora 10:00 do të mbahet seanca për Ligjin e Pagave.
Dy orë më pas, nis seanca për strategjinë për energjinë. Më pastaj, në ora 13:00 seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci.
“Për më tepër, janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit”, thotë Hoti.
Sipas ish-kryeministrit të Kosovës kjo tregon se pushteti nuk e dëshiron debatin e opozitës.
“Kjo është joserioze. Me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë”.
“Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë”, ka shkruar Hoti.