Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, janë përplasur të premten në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere rreth situatës në Trustin Pensional.
Deputeti i LDK-së derisa po fliste i kërkoi ministrit Murati që të bëhet serioz dhe mos të qesh.
“Mos u zgërdhij kur të flasë, le të jemi serioz. 2.5 miliardë euro nuk kanë menaxhim. Të lutem të diskutojmë me seriozitet, mos u zgërdhini gjatë diskutimit. Unë nuk të respektoj fare, por jeni ministër dhe duhet të raportoni. Unë të kam thirrur në përgjegjësi institucionale”, u shpreh Hoti.
Ndërsa ministri Murati i mohoi këto akuza, duke thënë se në Komision është shumë serioz. Shefi i kuletës së shtetit mohoi akuzat se Trusti Pensional po humb miliona euro.
“Në pyetjen e zotit Hoti dua t’i them se nuk mund të përgjigjemi se a jemi pajtuar apo jo për konkursin, sepse ne jemi njoftuar vetëm kur është përmbyllur procesi i konkursit. Për atë pozitë kanë aplikuar 47 persona, 26 persona kanë qenë ndërkombëtare apo të paktën me përvojë ndërkombëtare. Janë bërë disa deklarata se Trusti po humb, ngase ministri i Financave apo Auditorja nuk po mund ta krijojnë bordin. Është totalisht e papranueshme kjo propagandë që është bërë”, u përgjigj Murati.
Krahas Muratit, në këtë Komision janë të ftuar edhe guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti; Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca dhe drejtori menaxhues i Trustit, Adrian Zalli.