Në intervistë për emisionin “RTK Prime”, Andin Hoti, djali i veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, rrëfen shumëçka nga jeta dhe puna e tij, e cila ndërlidhet kryesisht me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që nga lufta e fundit në vend.
1617 persona të pagjetur, edhe më tej mbesin plagë e mijëra familjeve në Kosovë. Në këtë intervistë, Andin Hoti, i cili është edhe kryesues i Komisionit Parlamentar për Personat e Pagjetur, tregon se në vitin 2022, ishte gati të arrihej një marrëveshje me Serbinë, për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Nga shtatori 2021 ishim të angazhuar në dialog në Bruksel, me qëllim të arritjes së një deklarate të përbashkët të Kosovës e Serbisë, por fatkeqësisht edhe më tej nuk e kemi një të tillë”, tha Hoti.
Sipas tij, krejt kjo për shkak të qasjes shumë politizuese të Serbisë. “Kjo ishte një deklaratë e përbashkët mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq në anën tjetër, ku të dy palët do të zotoheshin të zbatonin pikat e marrëveshjes”.
Ai tha se ka shumë arsye përse nuk është arritur një deklaratë e tillë.
“Në gusht të 2022 ishim të gatshëm ta nënshkruanim, por në momentet e fundit, Vuçiq është tërhequr”.
Në këtë intervistë, Hoti deklaroi se serbët kanë kundërshtuar shprehjen -“të zhdukurit me forcë”.
Sipas tij, Kosova ka insistuar që të jetë kjo shprehje e përfshirë në deklaratë, pikërisht sepse ajo përshkruan atë çfarë ka ndodhur në Kosovë.
“Është i vetmi term që bazohet në një konventë ndërkombëtarë për personat e zhdukur, pra në atë të OKB-së”.
Ai thotë se termi – “të zhdukurit me forcë”-do t’i jepte deklaratës efekt juridik dhe obligues.
Duke sqaruar këtë situatë, Hoti rikujtoi se nuk do të përfundojë asgjë sa i përket zbardhjes së fatit të personave të zhdukur, vetëm me një deklaratë apo marrëveshje.
“Përmbushja e zotimeve të kësaj deklarate, do të ndihmonte procesin, por nuk e përmbyllë këtë çështje”.