Në diskutimin publik për Projektligjin për liritë fetare të mbajtur sot, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka deklaruar se duhet të ndiqet politika e SHBA-së e cila nuk kërkon si kriter një numër të individëve që mund ta formojnë zyrtarisht një bashkësi fetare.
“Ndryshimet e propozuara të para 10 vjetëve kanë kërkuar 50 anëtarë si minimum për të regjistruar e jo 100 anëtarë siç është në projektligjin e tanishëm. Do të ishte më mirë që të gjitha bashkësitë fetare të regjistrohen pa marrë parasysh madhësinë e tyre apo kohëzgjatjen e ushtrimit të besimit në Kosovë”, tha Hovenier.
Ai shtoi se për një dekadë në Kosovë ka munguar statusi ligjor për grupet fetare dhe nxiti përfaqësuesit e bashkësive të pranishëm në diskutimin në Qeverinë e Kosovës që t’i korrigjojnë mangësitë në legjislacion.