Live

Hovenier: Në Ohër s’do të diskutohen 11 pikat e planit të BE-së, por implementimi i tyre

13:01 / 15 Mars 2023

Nga Kosova Live

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se në takimin e nivelit të lartë që pritet të mbahet në Ohër më 18 mars, nuk do të negociohet për 11 pikat e propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, në Ohër do të diskutohet për implementimin e këtyre 11 pikave në mënyrë efektive dhe të suksesshme, njofton Klan Kosova.

“Nga perspektiva e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ky është një moment për ta avancuar integrimin e Kosovës në BE dhe Kosova ta marrë rolin e saj në Ballkanin Perëndimor si vend i pavarur dhe sovran”.

“Këtë marrëveshje për të cilën po punohet dhe për implementimin e të cilës do të negociohet në Ohër këtë vikend, ne e konsiderojmë si një hap shumë të rëndësishëm përpara dhe ne mendojmë se një marrëveshje e plotë është pranë arritjes”.

“Ne besojmë se ky propozim me 11 pika për të cilin palët janë pajtuar, aneksi i implementimit që është duke u diskutuar, sjell benefite të mëdha praktike, politike dhe ekonomike”.

“Le të jem i qartë, 11 pikat aktuale nuk do të diskutohen. Kjo marrëveshje për rrugën drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është përmbyllur në Bruksel ku të dyja palët janë pajtuar se nuk do të ketë nevojë të diskutohet më tutje teksti në fjalë”.

Tutje, ambasadori thekson se ShBA-të nuk vlerësojnë se do të ketë një propozim tjetër për Kosovën dhe Serbinë, andaj sipas tij, ky është një moment shumë i rëndësishëm për të dyja palët.

“Ajo që do të diskutohet është aneksi për çështjet që do të zbatohen këto principe dhe si të bëhet kjo në mënyrë efektive. Ky është fokusi ynë kryesor, një implementim efektiv dhe i suksesshëm”.

“Më duhet të jem i qartë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk vlerësojnë se një marrëveshje më e mirë është në dispozicion tani, ky është një hap i madh përpara. Është një mundësi e jashtëzakonshme. E avancon stabilitetin rajonal, i ripozicionon marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë drejt një ‘status quo-je’ shumë më të mirë.

Hovenier thotë se ShBA-ja qëndron prapa pozicionit që ka mbajtur për vite, e që ka të bëjë me arritjen e një marrëveshje finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe që ka në qendër të saj njohjen reciproke ndërmjet dy vendeve.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...