Kosova ndodhet në një “momentum” të mirë përsa i përket rrugës europiane, kështu tha ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj.
Hoxhaj foli për procesin e liberalizimit të vizave dhe ftesën për të qenë pjesë e bashkësisë politike europiane, duke i cilësuar si lajme shumë të mira.
Sipas Hoxhaj, kryeministri i Kosovës duhet të shfrytëzojë vëmendjen e SHBA dhe BE për rajonin e Ballkanit dhe të mbajë një qëndrim të qartë për dialogun.
“Për mua është e rëndësishme që të merret dialogu mes dy vendeve si një çështje serioze që ta shfrytëzojmë këtë vëmendje të SHBA dhe BE. Qeveria e Kosovës aktualisht nuk ka politikë të jashtme dhe për këtë arsye nuk i ka synim njohjet e reja apo anëtarësimet në organizata ndërkombëtare. Kryeministri Kurti duhet të dalë i qartë për të ardhmen e dialogut sesa të blejë kohë me një diskurs romantik që nuk i sjell asgjë Kosovës. Në një kohë kur SHBA dhe BE kërkojnë që Kosova të përqendrohet në një marrëveshje për njohje të ndërsjellë. Është e domosdoshme që Kosova të shtrojë pyetjen se çfarë mund të arrihet në këtë kohë. Por kam përshtypje se dialogu është reduktuar në konferencë për shtyp”, tha mes të tjerash Hoxhaj.